Kosovë
Abdullahu komenton draft-marrëveshjen Kosovë-Serbi: Korrigjimi i kufijve ose Asociacion Plus

Duke komentuar këtë draft-marrëveshje analisti i çështjeve politike në vend, Faton Abdullahu ka thënë se cilido prej opsioneve kërkon ndryshmin e Kushtetutës dhe se do të jetë një zgjidhje mjaft e vështirë.
“Cilado marrëveshje me Serbinë e cila kërkon ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës do të jete e vështirë dhe do të krijoj probleme natyrave të ndryshme vështirë të parashikueshme. Përndryshe duhet parë draft-ofertën si të përfunduar dhe duhet parë mundësitë sa mund dhe si mund të përshtaten më shumë ato në Kushtetutën tonë për të dhënë vlerësimi se cila mund të jetë më e mirë”, ka thënë Abdullahu në një prononcim për Periskopin.
Abdullahu ka komentuar edhe opsionet të cilat u janë propozuar për marrëveshje presidenteve të dy vendeve: korrigjimin e kufijve ose Asociacion Plus.
“Parimisht që të dyja duket se prekin themelet e shtetndërtimit tonë dhe rregullimit aktual kushtetues duke i ndryshuar ato në thelb. Sido që të jetë, sa do të përfitojmë ne në dialog me Serbinë do të varet nga ajo se çfarë po kërkon të arrijë bota perëndimore në rajon, përkatësisht në raport me Serbinë, dhe sa do të jemi ne unik në qëndrimet dhe strategjinë tonë në përballjen me Serbinë”, u shpreh ai.
Analisti e konsideron alarmante faktin e mosunitetit të brendshëm në Kosovë lidhur me çështjet që janë jetike për vendin.
“Kështu siç jemi të përçarë dhe të dezorientuar me Qeverinë Kurti, nuk do të jemi në gjendje as të refuzojmë atë që nuk na duhet, as ta pranojmë si duhet atë që do të jetë më e mirë për ne. Uniteti i spektrit tonë politik është premisë vitale për të fituar në dialog me Serbinë. Sot mungesa e këtij uniteti është kthyer edhe në përçarje brenda Qeverisë Kurti kjo tanimë është alarmante”, ka thënë Abduallahu./Periskopi/






















