Religjion
A janë mbyllur xhamitë në historinë islame? – Ja si përgjigjet hoxha Mustafa Tërniqi

A janë mbyllur xhamitë në historinë islame? – Përgjigjet hoxha i njohur Mustafa Tërniqi
Për sa i përket ngjarjes së Murtajës në kohën e Umerit ku Amr ibn el-Asi i urdhëron njerëzit të dalin në male të braktisin qytetet dhe kur e mori vesh Umeri nuk e qortoi… shumë vetë nuk e marin të mirëqenë sepse aty nuk përmenden xhamitë e as hapja apo mbyllja e tyre. Këtë ngjarje e transmeton Imam Ahmedi në Musnedin e tij 3/226 me zinxhir transmetuesish të dobët, mirëpo historia e muslimanëve nuk mbyllet me kaq.
Në vitin 395 sipas hixhretit që përkon me vitin 941 e.s ra epidemia e Murtajës në Afrikë dhe kur mbërrti në qytetin e Kajravanit (të Tunizisë) u paralizuan aktivitetet aq sa të mbylleshin dhe furrat e bukëve e të boshatiseshin dhe xhamitë. (el-Bejan el-Mugrib fi Ahkbari el-Endelus uel-Magrib 1/257 të Ibn Adhari el-Merrakushi ).
Në vitin 448 sipas hixhretit që përkon me vitin 1056 e.s në Andaluzi, kryesisht në Kortoba u mbyllën xhamitë nga thatësira dhe epidemia që i goditi aq sa nuk shikoje një namazli të vetëm nëpër xhami. (Sijeru A’lam en’Nubela të Dhebeiut 18/311).
Në vitin 749 të hixhretit që përkon me vitin 1348 e.s në Kajro u pezulluan aktivitetet festive, martesat deri dhe u mbyllën shumica e xhamive për shkak të Murtajës. U pezullua dhe ezani nëpër xhami përvec një ezani në qendër. (es-Suluk lima’rifeti Duveli el-Muluk 4/88 të Tekijjudin el-Mekrizit).
Ndërkohë kemi dhe raste të ndryshme shumë të vonshme ku me rastin e epidemive janë mbyllur xhamitë. Në vitin 1814 ra epidemia e Murtajës në gadishullin arab ku vdiqën prej haxhinjve plot 8000 vetë cka bëri dhe pezullimin e haxhit.
Ngjarje të tilla epidemishë në kohën e haxhit kanë ndodhur dhe në vitin 1837 e më vonë. Ja ku është dhe sot bota islame dhe vendet arabe që po i mbyllin përkohësisht xhamitë për namaze dhe për xhuma derisa të kalojë rreziku i epidemisë gjë e cila do përcillet te brezat e mëvonshëm si ngjarje historike.
Sidoqoftë po e përsëris edhe një herë atë që kam shkruajtur në komente para tre ditëve se nuk është e nevojshme të gjehen ngjarje të tilla konkrete në histori sepse janë rregullat e fikhut dhe bazat e usulit ato që i bëjnë ulematë të përcaktojnë gjykimin se cfarë mund të bëhet në raste epidemishë.




















