Lajme
629 pasagjerë zbarkojnë në port: Masat në Durrës më të forta se në Bari

Në portin e Durrësit mëngjesin e sotëm mbërritën rreth 629 pasagjerë nga porti i Barit me tragetet Rigel dhe Azzurro.
Udhëtarët thanë së masat në portin e Durrësit janë më të forta se në atë të Barit.
“Në zonat e jugut të Italisë nuk ka panik për koronavirusin”, thanë udhetarët.
Pas kontrolleve u janë marrë pasagjerëve edhe adresat e origjinës dhe numrat e telefonit.
Prej ditës së djeshme, Drejtoria e Përgjithshme Detare ka pezulluar transportin detar të mallrave dhe njerëzve nga Durrësi drejt Italisë së Veriut.
“Ndalohen të gjitha lëvizjet me mjetet e transportit detar nga të gjitha portet drejt Italisë së Veriut; Ndalohen të gjithë lëvizjet me mjetet e transportit detar të pasagjerëve dhe/ose mjeteve në Linjën Durrës-Ankona- Durrës dhe Durrës-Trieste-Durrës”, u tha në njoftim.
Gjithashtu, të gjitha mjetet e transportit detar që kanë destinacion Portet e Hapura të Republikës së Shqipërisë nuk do ju lejohet zbritja e ekuipazhit nga anija në portet përkatëse.
Nga ana tjetër në Kapshticë gjatë ditës së djeshme kanë hyrë 1854 shtetas dhe kanë dalë 1962 shtetas. Nuk ka asnjë rast të dyshuar për koronavirus./oranews




















