Presidenti shqiptar Ilir Meta ka përkujtuar 21 vjetorin e nisjes së ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
Meta e quajti ndërhyrjen e NATO-s një mision historik në mbrojtje të lirisë, derisa ftoi Kosovën të tregojë potencialin e saj të vërtetë, bazuar në vlerat euro-atlantike.
“Sot është dita për të falënderuar vendet anëtare të NATO-s që nën udhëheqjen e SHBA-së treguan 21 vite më parë se liria është e shenjtë dhe se dhunimi i të drejtave të njeriut është i patolerueshëm dhe i papranueshëm”.
“Sot është gjithashtu jo vetëm një ditë reflektimi për Kosovën, por edhe një mundësi për të treguar potencialin e saj të vërtetë, besnikërinë e saj ndaj NATO-s, parimeve dhe vlerave të pazëvendësueshme euro-atlantike, si dhe të gjithë vendosmërinë për të ndërtuar një shoqëri të bazuar plotësisht në këto parime”, ka shkruar Meta./A2 CNN



















