Kosovë
15 komuna në Kosovë të prekura nga koronavirusi, Prishtina shënon rritje të rasteve

Ndonëse tek më vonë filluan të konfirmoheshin raste me koronavirus, Prishtina tanimë është qyteti i tretë më i prekur me COVID-19 në Kosovë.
Të gjitha këto raste, sipas kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti janë raste kontakti të ardhura nga jashtë, shkruan lajmi.net.
“91 raste të konfirmuara në Kosovë, 13 në Prishtinë. Të gjitha raste nga kontaktet ose të ardhura nga jashtë”, ka thënë mes të tjerash Ahmeti.
E faktikisht trendi i përhapjes së koronavirusit në Kosovë mund të quhet pozitiv. Dje e sot, nga IKSHP u tha se janë konfirmuar vetëm pesë raste.
Sot, në Kosovë u konfirmuan tri raste të reja, dy në Prishtinë e një në Podujevë, që në total numrin e të prekurve me koronavirus e çon në 91.
Aktualisht, Malisheva është qyteti me numrin më të madh të të prekurve me koronavirus, gjithësej 32 persona, pasohet nga Gjilani me 15 dhe Prishtina që ka 13 raste të tjera, Vitia aktualisht ka shtatë raste, Vushtrria dhe Gjakova kanë nga gjashtë, Podujeva ka katër raste, ndërkaq me nga një rast janë Klina, Lipjani, Prizreni, Obiliqi, Suhareka, Ferizaji, Shtimja dhe Peja. Pra gjithësej janë 15 komuna të prekura nga koronavirusi në Kosovë.
Po ashtu, IKSHP ka bërë të ditur se 53 përqind e të infektuarve në Kosovë i përkasin gjinisë mashkullore, teksa 47 janë të gjinisë femërore.
Ndërkaq, 23 marsi shënon datën kur janë konfirmuar më së shumti raste brenda një dite, gjithësej 23.
Nga data 08.02.2020 deri me 28.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.037 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2.
Aktualisht Kosova e ka një viktimë të shënuar nga koronavirusi, teksa para pak ditësh konfirmoi edhe pacientin e parë të shëruar nga COVID-19.






















