Connect with us

Lajme

Zi në familjen Berisha/ Ish-kryeministri jep lajmin e hidhur

Published

on

Në familjen Berisha, ky 14 shkurt është ditë zie.

Ish-kryeministrit Sali Berisha i ka ndërruar jetë djali i xhaxhait, Sylejmani. Lajmin e ka dhënë vetë ish-lideri i demokratëve në një postim në rrjetet sociale.

“Miq, sot ne përcollëm në banesën e fundit një njeri shumë të dashur të familjes tonë, djalin e xhaxhait tim, Sylejmanin. Që kur fillon memoria ime, ai, mocanik me mua, ishte për të gjithë vitet e fëmijërisë dhe më vonë si vëlla për mua. Së bashku ndamë lojërat, gëzimet, dashurinë e prindërve, familjarëve tanë dhe përfunduam shkollën 7 vjeçare. Më vonë rruget tona u ndanë, por jo zemrat tona. Ai qëndroi në Kodër të Prifçit në Tropojë, aty ku dhe u martua dhe krijoi familjen e tij të mrekullueshme”, shkruan Berisha.

Më tej, ish-kryeministri bën me dije se Sylejmani ka punuar si minator pothuaj në të gjitha minierat e rrethit dhe qarkut të Kukësit. Sipas tij, i ndjeri ishte shumë punëtor dhe patriot.

“Në vitet 1996-1999 ai e shndërroi shtëpinë në Kodrën e Prifçit në një nga bazat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai vetë, së bashku me djemtë e tij Halilin, Gëzimin dhe Arbenin morën direkt pjesë në veprime dhe operacione të UÇK-së kundër pushtuesve serbë! Ai priti dhe përcolli me qindra e qindra luftëtarë të lirisë, komandantë të shquar të tyre, ndër të cilët ish kryeministrin e Kosovës, zotin Ramush Haradinaj, ish Komandanin e pavdekshën të UÇK, Ilir Konushevci e shumë e shumë të tjerë.

Në ato vite me dhjetëra gazetareë, diplomatë, ambasadorë, ushtarakë, zbulues nga shumë vende, vizituan shtëpinë dhe Kodrën e Prifçit. Sylejmani i priti dhe i përcolli ata në përputhje me traditën. Të gjithë ata, pyetjes se pse keni lejuar këtu në një bazë ushtarake, morën nga ai vetëm një përgjigje: unë po respektoj traditën e familjes time. Në fakt ai e tregoi veten i biri i të atit, Zeqir Halilit, i cili që nga mosha e tij e re dhe deri në vitin 1944 kishte marrë pjesë në çdo përpjekje kundër pushtimit serb dhe për lirinë e Kosovës! Por kësaj here lufta u fitua”, thekson ai.

Berisha thotë se Sylejmani mbylli sytë përgjithmonë nën kujdesin e përsosur të bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, ndërsa i dhanë lamtumirën e fundit familjarët, të afërmit, miqtë, shokët, ish kryeministri Haradinaj dhe bashkëluftëtarë të tij nga Kosova dhe emigracioni e diaspora.

“Mbetem pafundësisht mirënjohës ndaj të gjithë atyre që na nderuan sot me praninë e tyre në lamtumirën e sivllaut tim Sylejman Zeqir Berisha dhe i lutem Zotit që shpirti i tij i mirë të gjejë paqen e merituar. Amin! sb”, nënvizon ish-lideri i demokratëve./ CNA.al