Kosovë
Vdiq taksa 100%, 2018-2020: Kjo ishte jeta e shkurtër e goditjes së parë të Kosovës ndaj Serbisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot paralajmëroi pezullimin e taksës 100% ndaj mallrave të importuara nga Serbia. Periskopi iu sjell disa nga momentet e jetës së shkurtër të goditjes së parë që Kosova i dha Serbisë.
Ishte nëntori i vitit 2018 kur Kosova i vendosi taksë prej 100 për qind mallrave të importuara nga Serbia. Një gjë e tillë ishte bërë pasi liderët e asokohshëm të Kosovës ishin ndjerë të pezmatuar me dështimin e radhës për t’u anëtarësuar në Interpol. Madje, në Dubai në atë nëntor të ftohtë qëndronte edhe Hashim Thaçi me dhjetëra gazetarë kosovarë, por edhe me politikanë të tjerë – duke menduar se anëtarësimi i Kosovës në Interpol ishte çështje e kryer.
Kjo fitore diplomatike e Serbisë pezmatoi kryeministrin e atëhershëm Haradinaj dhe shefin e partnerit të madh të qeverisë së tij, Kadri Veselin.
Fillimisht ishte vendosur që të vendosej një taksë prej 10 për qind ndaj mallrave të importuara nga Serbia. Por, kishte qenë Kadri Veseli që kishte kërkuar që ajo të bëhej 100 për qind – pa ndonjë analizë mbi përfitimet dhe pasojat e saj.
Kosova importonte nga Serbia mallra në vlerë prej gati 500 milionë eurosh, ndërsa eksportonte drejt vendit armiqësor fqinj mallra prej vetëm 48 milionësh, shkruan Periskopi.
Tarifa uli importin serb në vlera minimale, që në vitin 2019 raportohet se ishin vetëm rreth 3 milionë.
Megjithatë, një gjë e tillë ngriti shqetësime të tjera për ekonominë vendëse. Dhe, këto shqetësime shkonin përtej burekut apo bukës së shtrenjtuar për 10 centë. Ishte fjala për rritjen e kontrabandës nga mallrat serbe, e po ashtu edhe për kamuflimin e mallrave serbe me flamuj të shteteve tona fqinje.
Por, pasojat politike erdhën vetëm pak më vonë. Serbia refuzoi kategorikisht të ulej në tavolinë bisedimesh me Serbinë nëse goditja e parë e Kosovës ndaj saj nuk zmbrapsej. Po bëhej fjalë vetëm për 2 për qind të eksporteve të Serbisë, e cila kapacitetin tregtar doli se e kishte dhjetëra fish më të madh.
Një gjë e tillë ngriti hapësirën për përfitime politike. Haradinaj e mori për vete taksën dhe u mundua që përmes saj të rriste popullaritetin. Shkaku i presionit ndërkombëtar për t’u hequr taksa, Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit.
Taksa e kishte përçarë për të parën herë edhe opozitën e bashkuar të asaj kohe mes VV-së dhe LDK-së. LDK-ja e refuzonte kategorikisht ndërsa VV-ja e mbështeste e madje kërkonte edhe masa shtesë, duke e riforcuar për herë të parë fjalën Reciprocitet.
Në zgjedhjet e 6 tetorit fituan pikërisht partitë opozitare dhe taksa 100 për qind pritej të hiqej. Por, ajo megjithatë nuk do të hiqet krejtësisht deri më 1 prill ndërsa Reciprociteti nuk pritet të vendoset asnjëherë – edhe pse Kurti e paralajmëroi një gjë të tillë për 15 qershor.
Gjatë periudhës së taksës, serbët e Kosovës e kishin inskenuar edhe në krizë humanitare – duke e dëmtuar më tej imazhin e Kosovës. Për më keq, Serbia e intensifikoi fushatën e saj agresive kundër Kosovës, dhe deri tash raportohet se vendin tonë e kanë çnjohur 18 shtete të botës.
Ndërkohë, mos-arritja e kryeminsitrit të ri Kurti, që të mbante premtimin elektoral duke e vendosur reciprocitetin para se ta tërhiqte taksën e bën Kosovën të duket edhe më joserioze.
“Prodhuesit kosovarë i duhen 4 ditë për të transportuar mallrat në Serbi. Prodhuesit në Serbi i duhen vetëm 7 orë.” – deklaroi analisti Armend Muja duke ilustruar dëmet që i shkaktohen eksportuesve kosovarë nga barrierat jotarifore të Kosovës.
Për fat të keq, Kosova pas vendosjes dhe heqjes së taksës – goditja e parë ndaj Serbisë – është edhe më e defaktorizuar në rrafshin ndërkombëtar. /Periskopi





















