Connect with us

Kosovë

Thaçi për Kurtin: Mbreti i parimeve i shkeli ende pa ja nisur

Publikuar

Deputetja Evgjeni Thaçi-Dragusha ka vazhduar sagën e kritikave ndaj mandatarit Albin Kurti, partisë së tij dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në seancën për formimin e qeverisë.

Ajo tha se në këtë kohë është dashur analizuar 100 ditëshi i Qeverisë Kurti dhe jo të votohet qeveria e re, njofton Klan Kosova.

“Ata refuzuan për një kohë të gjatë të dhe luftojnë kaq shumë për të mos marrë përgjegjisë nga rezultati i zgjedhjeve. Por, tmerri i tyre më i madh u bë realitet. Me këto veprime, këto parti na dhuruan spektakël. Ata e shfaqën karakterin e tyre komplet të zhveshur para qytetarëve dhe votuesve të tyre.

Ju i keni tejkaluar edhe pritshmëritë tona”.

“Spektakli do të vazhdojë sepse partia që do ta udhëheqë vendin do të zgjohet nga gjumi. Mbreti i parimeve dhe i premtimeve i shkeli ato ende pa ardhur në pushtet. Por, akoma s’kemi parë asgjë”.

Thaçi-Dragusha tha se partia e saj si më e madhja në opozitë do të jetë monitoruese e veprimeve dhe projekteve të Qeverisë Kurti.

“Ju uroj sukses në këtë rrugë. Ne do të jemi inxhinierë të projekteve tuaja. Projektet që ju do të zhvilloni me flamurin e Kosovës, që për të sakrifikuan gjithçka dhe e gjetët të gatshëm, por edhe e quajtët flamur lara-lara”.

Deputetja e PDK-së tha se opozita e kaluar ia ka humbur dinjitetin deputetit të Kuvendit të Kosovës dhe rikthimi i tij do të bëhet pikërisht nga opozita aktuale.

“Puna më e madhe që na pret si deputetë është kthimi i dinjitetit të opozitës së Kosovës, i deputetes. Opozita e kaluar ka bërë edhe një krim të madh. Trupat e deputeteve u shfrytëzuan për mbajtje të gazit lotsjellës”.