Connect with us

Kosovë

Të akuzuarit për vrasjen e Ivanoviqit deklarohen të pafajshëm

Publikuar

me

Gjashtë të akuzuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviq, sot gjatë seancës për shqyrtimin fillestar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, janë deklaruar të pafajshëm për përfshirjen e tyre në vrasjen e politikanit serb.

Vetëm të akuzuarit Nedelko Spasojeviq dhe Zhargo Jovanoviq e kanë pranuar fajësinë për veprën penale për mbajtjes të paautorizuar të armës, por jo edhe për ndihmën në vrasjen e Ivanoviqit për çka i ngarkon kjo lëndë.

Deklarimet e tyre ata i dhanë pas leximit të aktakuzës nga Prokurori Special, Blerim Isufaj i cilit gjatë leximit të aktakuzës tha se Marko Rashiq, Nedelko Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Radeta Basara kanë qenë të përshirë në grupin kriminal i cili udhëhiqet nga të pandehurit, Zvonko Veselinoviq dhe Millan Radoiçiq të cilët gjenden në arrati.

“I cili grup kriminal nuk është formuar rastësisht, por është duke vepruar që nga viti 2011 të cilin grup e udhëheqin të pandehurit Zvonko Veselinoviq dhe Millan Radoiçiq, të cilët gjenden në arrati ku të gjithë këta të pandehur veprojnë në vazhdimësi dhe në bashkëpunim ku me dashje dhe dijeni qëllimit dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, ose qëllimit të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale, të cilat janë të dënueshme me burgim prej së paku katër vjet, aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtari kriminale të grupit duke e ditur se pjesëmarrja e tillë do të ndihmojë në kryerjen e veprimtarive kriminale të grupit dhe realizimin e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të përfitimit financiar apo të dobisë tjetër pasurore me qëllim të shtrirjes së kontrollit në bizneset në territorin dhe kontrollin e politikës në pjesën veriore të Mitrovic ës”, thuhet në aktakuzën e lexuar nga prokurori special, Blerim Isufaj.

Aktakuza e cila u ndryshua më 27 dhjetor 2019, u lexua edhe në gjuhën serbe përveç asaj shqipe. Ndërsa sipas kësaj aktakuze, ky grup kriminal ka kryer vepra penale si vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjes e kësaj vepre penale që çuan deri te vrasja e politikanit Oliver Ivanoviq.

“Ky grup kriminal ka kryer vepra penale si vrasje e rëndë, ndihmës në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, keqpërdorime të detyrës zyrtare dhe ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm në territorin e Republikës së Kosovës. Secili nga të pandehurit ka kryer veprime inkriminuese konkrete për grupin në fjalë. Me ç’rast veprimtaritë e këtij grupi kriminal të organizuar kanë rezultuar me vdekjen e të ndjerit, Oliver Ivanoviq”, tha Isufaj.

Pas leximit të aktakuzës dhe deklarimeve të të akuzuarve, mbrojtja e Marko Roshiq, Nedelko Spasojeviq dhe Radeta Basara të cilët ndodhen në paraburgim, kërkuan që masa e ndërmarrë ndaj tyre të ndërpritet dhe të shikohen mundësitë për masa tjera alternative.

Avokati mbrojtës i të akuzuarit Marko Roshiq, Mahmut Halimi tha se klienti i tij akuzohet për veprën penale ndihmë në vrasjen e rëndë, por që sipas tij, ai është vetëm viktimë e manipulimeve që janë bërë për t’u fshehur kryerësi i vrasjes së Ivanoviq.

“Në fillim të hetimit jam dakorduar, dyshimi është dyshim, mirëpo me marrjen e shkresave të lëndës kemi ardhur në përfundim se mbi bazën e shkresave të lëndës po e gjemë provën e cila po konsiderohet si provë kyçe këtu ajo copa e fletës që qenka gjetur në xhepin e tani të ndjerit, Oliver Ivanoviq e kjo veturë e paska përcjellë, mirëpo çudia ndodh kur vëllai i të ndjerit në prill thotë se ky nuk është dorëshkrimi i vëllait tim, do të thotë është manipuluar në mënyra të ndryshme për t’u munduar t’i iket kryerësit të vërtetë për ta futur një person, i cili praktikisht ka rënë viktimë, e ky është klienti im”, tha ai.

Edhe avokati i të akuzuarit tjetër Nedelko Spasojeviq, Faruk Kostanica pati vërejtje për aktakuzën. Ai kërkoi që aktakuza të përmirësohet pasi sipas tij mungon koha, vendi dhe objekti në të cilën është kryer vepra me të cilën ngarkohet klienti i tij.

Kundër masës së arrestit shtëpiak ndaj të akuzuarve në rastin e vrasjes së Ivanoviq, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq kanë reaguar edhe avokatët e tyre mbrojtës të cilët kërkuan tërheqjen e masës.

Avokati mbrojtës i Silvana Arsoviq, Musa Damati tha se kjo aktakuzë nuk ofron autorët e vrasjes së Ivanoviqit.

“Kjo aktakuzë nuk na e ofron autorin e veprës penale, kjo aktakuzë na e ofron shtresën e tretë apo të katërt të subjekteve, të cilave ndoshta do të mund të jenë të implikuar në vrasjen e nivelit më të lartë politik të ndodhur në Kosovë”, tha ai.

Nënkryetarja e Iniciativës Qytetare ‘Sloboda, Demokratija, Pravda’ (SDP), Ksenija Bozhoviq ka thënë se Arsoviq është e pafajshme në rastin Ivanoviq dhe se sipas saj në aktakuzë, më tepër flitet për kriminalitet sesa vrasjen e politikanit serb.

“Silvana përmendet vetëm në dy vende kryesisht dhe është për keqardhje që ajo përmendet si anëtare e grupit kriminal. Ajo nuk ka qenë kurrë pjesë e kësaj, pasi ishte bashkëpunëtorja më e ngushtë dhe mike e Oliver Ivanoviq. Pse ajo ngarkohet? Ajo ngarkohet se ajo duhej ta kishte ditur se kamerat në hapësirat e SDP-së nuk kanë punuar dhe thjesht ishte aty vetëm, në vendin e saj të punës dhe tash supozohet se ajo ato kamera i ka lëshuar, por kush i ka ndalur, pyetje dhe përgjigje nuk kemi. Siç mund të shihet nga aktakuza nuk kemi atë se kush e ka vrarë Oliver Ivanoviqin. E dyta, nëse si anëtare e grupit ka ndihmuar në këtë, nuk qëndron ajo se kujt i ka ndihmuar Silvana Arsoviq. Kush ka bërë presion mbi Silvana Arsoviq? Cilat informacione i ka dhënë ajo?”, tha Bozhoviq.

Në fillim të seancës fillestare në rastin Ivanoviq, kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtishaj ua ndaloi mediave që të marrin pamje gjatë gjithë seancës me arsyetimin se nuk kanë kërkuar leje paraprakisht.

Kamerat u lejuan që të qëndrojnë në sallë deri pas momentit të leximit të aktakuzës nga Prokurori Special, Blerim Isufaj.

Seanca për shqyrtim të dytë mbahet më 16 mars duke filluar nga ora 10:00.

Ndryshe, seanca për shqyrtimin fillestar ishte paraparë të mbahej më 30 dhjetor 2019, por për shkak të ndryshimit të aktakuzës nga Prokuroria Speciale u mbajt sot.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Marko Rashiq, Nedelko Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Radeta Basara, të cilët ngarkohen për veprat penale, pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, keqpërdorim i pozitës zyrtare, ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, posedim i paautorizuar i armës, zbulim i sekretit zyrtar dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare duke manipuluar me provat.

Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, pranë selisë së partisë së tij në veri të Mitrovicës.

SHPËRNDAJE ME MIQ!
Advertisement

MË TË LEXUARAT

Portali Zyrtare u themelua nga një grup gazetarësh të rinjë në vitin 2018. Të motivuar nga nevoja për lajme të shpejta dhe të vërteta, në Maqedoni, ndër shqiptarë dhe për shqiptarët – Zyrtare nuk ishte veçse një kërkesë e kohës. Kontakt e-mail: portali.zyrtare@gmail.com Shared By Fancy Text Generator

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com