Kosovë
Stuhia në Istog dëmtoi shtëpi, shkolla e objekte të tjera, flet Haki Rugova

Moti i ligë që kaploi dje Kosovën, la shumë dëme në vendin tonë.
Bora dhe shiu shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale në Kosovë, e madje në disa komuna pati problem edhe me energji elektrike, shkruan Periskopi.
Rajoni më i prekur është Dukagjinit ku nga erërat e forta kanë pësuar Peja, Gjakova, Istogu e Prizreni. Në natën e mbrëmshme, nga erërat e forta, më së shumti ka pësuar Istogu.
Ndonëse nuk janë shënuar lëndime në njerëz, dëmet materiale po konsiderohen mjaftë të mëdha. Për të mësuar më shumë për gjendjen atje, Periskopi ka kontaktuar kryetarin e Komunës së Istogut,Haki Rugova komunë kjo e prekur shumë nga stuhia e mbrëmshme.
Rugova tha se erërat e fuqishme nuk kanë shkaktuar dëme në njerëz por ka pasë vetëm dëme materiale. Kryetari i Istogut thekson se në teren kanë dalë ekipet për t’i evidentuar numrin e dëmeve të cilat thotë se do t’i sajojnë sa më shpejt që të jetë e mundur.
‘’Erërat e fuqishme kanë sjellë dëme në objektet institucionale, publike, bujqësi, sera, shtalla, shkolla, rrugë, rrymë. Kështu që jemi duke bërë përpjekje me i sanu. Ekipet janë në teren duke punuar në mënyrë intensive. Janë të angazhuar edhe Policia e Kosovës, KEDS, FSK ,të gjitha janë aktiv. Pres që vlerësimet preliminare të dalin nesër dhe do të jenë edhe anëtarët e kabinetit qeveritar në Istog dhe do të shiqojnë se si mund t’i sanojmë këto dëme. Falë Zotit nuk ka pasë dëme në njerëz por vetëm dëme materiale e mira e krejt kësaj është kjo, mirëpo dëmet tjera duhet t’i sanojmë gjithsesi’’, tha Rugova.
Për shkak të reshjeve të mëdha të borës, DKA në Istog ka marrë vendim që të pezullohet mësimi.
KEDS ka njoftuar se ka angazhuar në terren mbi 500 punëtorë, të cilët janë dukë bërë përpjekje për të sanuar dëmet e shkaktuar nga erërat e fuqishme dhe që konsumatorët e tyre të kenë energji elektrike.
Ndërsa, meteorologu Sylë Tahirsylaj ka bërë të ditur se reshjet e borës do të vazhdojnë në vendin tonë. “Deri ditën e hënë kemi mot jo stabil, do ketë reshje të borës edhe sot e nesër në mesdite. Temperatura minimale do të jetë minus 10. Nga e hëna sërish do të bie bore, do të zgjat 2-3 ditë, që është lajm i mirë për mbjelljet vjeshtore dhe për rritjen e ujerave”, ka thënë Tahirsylaj. Ai ka thënë se temperaturat javën e ardhshme do të shkojnë deri minus 8 gradë./Periskopi/



















