Lajme
Soreca: Shqipëria ka shanse të hapë negociatat para Samitit të Zagrebit

Ambasadori i Bashkimit Europian Luigi Soreca komentoi nga Vlora procesin e zgjerimit të unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Diplomati Soreca deklaroi se unioni po implementon një metodologji të re për sa i përket zgjerimit, derisa shtoi se Shqipëria ka shanse që të hapë negociatat përpara Samitit të Zagrebit.
I pyetur edhe për njësinë Operacioni Forca e Ligjit, Soreca tha se e ka bërë me dije qëndrimin e tij për këtë çështje të dielën e kaluar, derisa përsëriti se ajo duhet të funksionojë nën varësinë e institucioneve të reja të drejtësisë siç është SPAK.
“Ne besojmë se parimi ‘ndiq paranë’ është efikas për të luftuar krimin e organizuar. Kjo tregon vullnetin politik për ta trajtuar këtë problem. Unë kam qenë në kontakt me Ministrin e Brendshëm dhe shpejt do të kem një takim edhe me drejtues të SPAK. Mënyra se si do të zbatohet ky ligj është shumë e rëndësishme dhe ne po e ndjekim me vëmendje implementimin e tij”, tha ai.
Soreca komentoi edhe Konferencën e Donatorëve për të cilën tha se po punohet që Shqipëria të ndihmohet në bazë prioritetesh./ A2 CNN




















