Lajme
Shkup, gabime tragjikomike në përkthimet e biletave

Gabime skandaloze gjatë përdorimit të Gjuhës Shqipe nga ana e institucioneve. Duke mos u konsultuar me ekspertë gjatë përkthimit të teksteve, gabimet që institucionet bëjnë nuk janë vetëm tragjike por në të shumtën e rasteve edhe komike, shkruan Alsat.
Një nga shembujt më të fundit është ngatërrimi i fjalës “ ruhet” dhe “ rruhet” në një tekst përmes të cilit Ndërmarrja për Qarkullim Publik informon qytetarët për vënien në funksion të biletave për një udhëtim. Mirëpo ky nuk është i vetmi gabim i bërë në këtë rast, teksti i plotë ka edhe gabime të tjera:
Ndërmarrja për Qarkullim Publik
“Bileta është për një vozitje. Bileta detyrimisht duhet të validohet dhe të rruhet deri në fund të vozitjes. Bileta që nuk është e validuar konsiderohet si e pavlefshme. Gjatë kontrollit bileta për verifikim i jepet personit të autorizuar. Vozitja me kartë të pavlefshme dënohet. Për më shumë informacione paraqituni në web faqen www.skopska.mk”
Për t’u ardhur në ndihmë institucioneve për përkthimin e materialeve është formuar Agjencia për Zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Nga ndërmarrja për Qarkullim Publik thonë se nuk kanë kërkuar ndihmë nga ky institucion pasi janë konsultuar me tre të punësuar në këtë ndërmarrje, të cilët nuk janë as përkthyes e as lektorë dhe të cilët e kanë miratuar tekstin e më sipërm ku, sipas tyre, në vend që “bileta të ruhet” mund të “rruhet”. Megjithatë nga kjo ndërmarrje thonë se gabimi nuk ka qenë i qëllimshëm dhe se me rëndësi është që nuk ka humbur, sipas tyre, kuptimi i tekstit ku biletat rruhen. Një gabim tjetër është vërejtur në tabelën e Stacionit Policor të kontrollit kufitar ku “Bllacë e Poshtme” është shkruar” Ballacë e Poshtme”. Nga Ministria e Brendshme thonë se tabela së shpejti do të korrigjohet. Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se ka institucione që injorojnë Agjencinë për përkthimin e të gjitha materialeve.
Të gjitha institucionet që kanë nevojë të përkthejnë mbishkrimet, formularët, vendimet që sjellin, ne e kemi për detyrë, në bazë të nenit 19 të Ligjit për Përdorimin e gjuhëve. 02:41 Ndërmarrja për Qarkullim Publik nuk ka dorëzuar kërkesë deri më sot edhe pse ne kemi kërkuar takim me ndërmarrjet publike që janë në qytetin e Shkupit edhe pse deri më sot nuk jemi takuar- deklaroi Ylber Sela- drejtor i Agjencisë për Ligjin e Gjuhëve.
Sela thotë se gjatë vitit 2019 deri tek Agjencia kërkesë për ndihmë kanë dorëzuar 76 institucione, ndërsa gjatë këtyre dy muajve të parë të vitit 2020 janë bërë 18 kërkesa.
















