Sport
Rikthimi i KB Peja – kapitulli i parë i bukur për sportin kosovar në vitin 2020

Një nga qytetet me kulturën më të madhe në basketbollin kosovar, Peja, ka arritur mbrëmë që të shpallet fituese e Kupës së Kosovës, duke mposhtur Golden Eagle Yllin në finalen e ‘Final 8’, që u organizua në qytetin e Rahovecit.
‘Karagaçi’ i Pejës, për më shumë se katër vite qëndronte i boshatisur, pa atmosferën e mrekullueshme të ‘Shqiponjave’, dhe pa spektaklin e Pejës në basketboll. Krejt kjo pasi skuadra ‘verdhezi’ dënohej nga FBK, në vitin 2015. Asokohe, Peja diskualifikohej nga garat e Superligës së Kosovës, binte në një rang më të ulët, dhe dënohej me 3000 mijë euro, duke bërë që klubi të falimentonte dhe yjet e skuadrës të shpërndaheshin nëpër skuadrat tjera të basketbollit kosovar.
Basketbolli kosovar humbi një qytet që shquhej për organizime të mira të ndeshjeve të basketbollit dhe gjithashtu humbi edhe një skuadër që ishte gjithmonë pretendente për titullin, duke pasur rivalitet me skuadrën e Prishtinës, atë të Trepçës dhe atë të Bashkimit. Një konkurrent më pak në basketbollin kosovar pati një ndikim shumë të madh. Asgjë nuk ishte njësoj, pa Pejën në Superligë. Prishtina shtriu një dominim të madh, duke mos njohur kundërshtarë. Krizë ekonomike i kaploi edhe Trepçën e Bashkimin.
Por, katër vite pas 2015-ës, Peja arriti të kthehej në Superligë, duke iu dhënë leja nga FIBA që të regjistrojë lojtarë, dhe basketbolli duket sikur është ringjallur – sigurisht, nuk duhet humbur meritat e Rahovecit dhe Yllit, që gjatë këtyre viteve u rritën dhe konkurruan me Prishtinën. Rikthimi i Pejës në Superligë hapi horizonte të reja. Me disa përforcime nga jashtë, pejanët u futën në këtë edicion si një skuadër shumë serioze. Për të shkuar punët edhe më mirë për këtë skuadër, Dardan Berisha te Prishtina pati një zënkë me Edmond Azemin, zënkë kjo që bëri që lojtari pejan të linte kryeqytetasit. Destinacioni tashmë dihej – Peja po e prisnin krahëhapur. Nënshkrimi me Berishën e ktheu Pejën menjëherë në pretendentin kryesor për titull, dhe kjo gjë u vërtetua edhe nga ‘Final 8’, shkruan lajmi.net.
Si fituese e Kupës së Kosovës, Peja do t’i vazhdojë garat e sezonit të rregullt me një motivim shtesë. Aktualisht, skuadra nga Dukagjini pozicionohet në vendin e pestë në tabelën e Superligës, me një pikë më pak sesa Ponte Prizreni që mban pozitën e katërt, por që ka një lojë më shumë të luajtur. Gjasat janë maksimale që Peja të sigurojë një vend në top katërshe, për të vazhduar garat e ‘Play Off’, ku edhe aty pritet të jetë konkurrentja kryesore për titullin.
Me emra si Henrik Sirko, Dardan Berisha, Drilon Hajrizi, Nigel Jonson e qendra Jackson, Peja po e bënë edhe një herë atraktiv basketbollin kosovar. Palestra e ‘Karagaçit’ po gjen arsye të jetë e mbushur. Po ashtu, edhe palestrat e skuadrave rivale si Rahoveci, Ylli e Prishtina, do të jenë më të mbushura, në duelet me ‘verdhezinjt’, pasi ku ka kualitet, ka interesim.
Për rikthimin e Pejës, impaktin e saj në basketbollin kosovar dhe gjasat e saj për titullin, disa fjalë për lajmi.net ka thënë edhe trajneri i njohur kosovar i basketbollit, Blerim Krasniqi, i cili gjithashtu ka vlerësuar pozitivisht rikthimin e Pejës.
Sa e vlerësoni pozitiv rikthimin e KB Peja në majat e basketbollit kosovar? Cilat janë gjasat e Pejës për titullin?
“Po është ditur edhe më parë se pa Pejën dhe pa qytetin e Pejës nuk ka basketboll cilësor, dhe kur nuk ka konkurrencë, atëherë as basketboll cilësor nuk ka, kështu që me rikthimin e Pejës besoj se ka optimizëm që basketbolli do të ngritët dhe konkurrenca do të jetë me e denjë. Kjo tregohet me triumfin e Pejës në Kupën e Kosovës” ka thënë fillimisht Krasniqi, për lajmi.net.
“Tash, me fondin e lojtarëve dhe me trajnerin e ri që ka Peja besoj që do të jetë ndër favoritët kryesor për të fituar titullin. Ata kanë treguar seriozitet të lartë edhe në strukturat drejtuese të klubit, të cilat kanë ndërmarrë hapa të mirë, duke grumbulluar një fond të begatshëm me lojtarë kualitativ, duke rikthyer edhe Dardanin, kështu që unë mendoj se Peja këtë vit është konkurrente. Sigurisht, nuk do ta ketë lehtë, pasi do ta ketë rival Rahovecin, por edhe Yllin që në këtë Kupë pati performanca të mira, duke ngritur kualitetin. Kam skepticizëm dhe dyshime mbi Prishtinën, e cila ka rënie, por shpresoj që edhe ajo do të kthjellet dhe do të jetë konkurrentë në vitet e përparme” ka shtuar trajneri i njohur kosovar.
“Me një katërshe; Prishtina, Ylli, Rahoveci e Peja mund të kemi një rivalitet të mirë dhe shpresojmë të kemi kualitet të mirë. Megjithatë, unë i jap Pejës një përparësi. Nëse vazhdon me këtë ritëm, do të jetë kampione” tha ndër të tjerash Blerim Krasniqi.
Kështu, bazuar në fjalët e trajnerit kosovar, Blerim Krasniqi, dhe në ngjarjet e ‘Final 8’, mund të konsiderohet se rikthimi i Pejës mund të shënojë hapin e parë për ‘ringjalljen’ e basketbollit vendor. Vitet 2010-2013 mund të kthehen përsëri në parketet e palestrave në Kosovë. Rivaliteti Peja-Prishtina pritet të jetë i ‘zjarrtë’ edhe këtë edicion. Krejt kjo është një dhuratë për basketbollin tonë. Pra, Peja është dhurata më e mirë që i ndodhi sportit vendor kosovar këtë vit. Peja është kapitulli i parë i bukur i sportit kosovar në vitin 2020. Euro 2020 dhe Lojërat Olimpike 2020 pritet të jenë vazhdimi dhe kurorëzimi i sukseseve të këtij viti. /Lajmi.net/





















