Lajme
Rekord në fluturim: Nju Jork-Londër më pak se 5 orë

Një avion i ‘British Airways’ ka thyer rekordin për fluturimin më të shpejtë të kohërave mes Nju Jorkut dhe Londrës, duke arritur shpejtësinë e mbi 1287 kilometrave në orë.
Avioni ‘Boeing 747’ fluturoi gjatë natës mes të shtunës dhe të dielës dhe arriti në destinacion në katër orë e 56 minuta, ndërsa stuhia Ciara i ishte drejtuar Mbretërisë së Bashkuar.
Fluturimi ishte shumë më i shpejtë se zakonisht me erën që e kalonte shpejtësinë e 321 km në orë – thanë ekspertët.
Avioni u ul në aeroportin ‘Heathrow’ në orën 4.43 minuta, thuajse dy orë më herët nga sa ishte planifikuar.
Shpejtësia maksimale e tij në fluturim ishte 1327 km në orë sipas Flightradae24, një shërbimi të gjurmimit online të fluturimeve.
Platforma vlerëson se koha mesatare që i duhet një avioni të përshkojë distancën mes Londrës dhe Nju Jorkut është gjashtë orë e 13 minuta. Por avioni i ‘British Airways’, e bëri këtë për dy orë më pak duke thyer edhe rekordin e një avioni ‘Airbus A 350’ të ‘Virgin’, fluturimi i të cilit në të njëjtën distancë kishte zgjatur disa minuta më shumë./tch






















