Shëndetësi
Ramadani: Janë marrë të gjitha masat e nevojshme lidhur me rastin

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, në një konferencë për media ka folur lidhur me dyshimet të një rasti të koronavirusit në Kosovë.
Ai ka thënë se i kanë marrë të gjitha masat e nevojshme lidhur me rastin.
“Informatat lidhur me rastin janë të dorës së parë. Ne i kemi marrë mostrat dhe po i verifikojmë. Ekipet janë thirrur urgjentisht dhe po merren me rastin “- tha Ramadani.
I pari i IKSHP-së shtoi se institucioni që ai udhëheq rezultatin për rastin do ta ketë deri në mesnatë.
“IKSHP po e ekzaminon rastin. Mostrat po verifikohen. Ende nuk e dimë nëse pacientja në fjalë ka koronavirus apo jo. Rezultatet do t’i kemi deri në mesnatë”- shtoi ai.
Ramadanti theksoi se Instituti Kombëtar ka të gjitha materialet e nevojshme për të diagnostifikuar rastet me këtë virus.
“Jemi furnizuar më materialet e nevojshme për të diagnostifikuar rastet ne Korona Virus, në bazë të protokolleve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Që nga shfaqja e këtij virusi më 19 dhjetor e deri tek rasti i parë më 7 janar ne e kemi përcjellë këtë, dhe kemi marrë masat e nevojshme. Pacientja nëse e ka këtë sëmundje trajtimin do ta marrë në Klinikën Infektive “- theksoi Ramadani.




















