Lajme
Rama: Bashkëpunimi me Kosovën mbetet prioritet i prioriteteve

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka thënë se ka qenë kënaqësi ta mirëpresë në Tiranë kryeministrin e ri të Kosovës Albin Kurtin bashkë me delegacionin e tij.
Rama në konferencën e përbashkët për media bëri të ditur se me Kurtin janë dakorduar që menjëherë të nisin përgatitjet për mbledhjen e dy qeverive – Kosovë dhe Shqipëri – që do të mbahet në Shkodër.
Ai njoftoi po ashtu se janë marrë vesh që të krijohet edhe një Komision Ndërshtetëror që ta përcjellë ecurinë e marrëveshjeve të arritura, ashtu si edhe nevojën për të arritur marrëveshje të reja.
“I dashur Albin, mirë se erdhe! Më vjen mirë që e kemi pasë një komunikim të hapur, të rëndësishëm dhe intensiv për ku jemi dhe ku duam t’i çojmë marrëdhëniet tona duke synuar një shpejtësi të re në drejtim të bashkëpunimit në të gjitha fushat dhe duke gjetur angazhim dhe gatishmëri të plotë reciprokisht”.
“Kemi rënë dakord që të fillojmë menjëherë përgatitjet për mbledhjen e dy qeverive e cila do të mbahet në Shkodër, sepse e fundit ishte në Pejë dhe aty u dakorduam për Shkodrën. Një vakum mes dy mbledhjeve na imponon që të bëjmë një mbledhje sa më produktive dhe jo vetëm kaq, por në të gjitha hapësirat mes dy mbledhjeve të qeverive do të vendosim në funksion një Komision Ndërshtetëror të përbërë nga ministra dhe përfaqësues të Komisioneve Parlamentare për të ndjekur ecurinë e marrëveshjeve, për të identifikuar problematikat në zbatimin e tyre dhe për t’i adresuar mbledhjes së të dy qeverive në funksion qoftë të arritjeve, qoftë të nevojave për vendimmarrje të tjera”.
Kryeministri shqiptar ka thënë se me homologun e tij kosovar ka folur edhe për Procesin e Berlinit, njofton Klan Kosova.
“Kemi diskutuar natyrisht me kryeministrin edhe për Procesin e Berlinit dhe vazhdojmë të flasim për të harmonizuar veprimet dhe hapat në funksion të nismës për implementimin e katër lirive themelore të Bashkimit Europian në rajonin tonë. Për ne, bashkëpunimi me Kosovën mbetet natyrisht prioritet i prioriteteve”.
“E kam thënë edhe më parë, ja thashë kryeministrit Kurti sot dhe po e them edhe publikisht përsëri, për mua nëse nuk realizojmë lëvizjen e plotë të lirë të njerëzve në radhë të parë dhe pastaj edhe lëvizjen e plotë të mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve nuk e kemi kryer detyrën tonë ndaj të ardhmes dhe njerëzve tanë. Është themelore që të jemi të gatshëm, të angazhuar dhe të qartë në çdo hap për të hequr kufirin mes të dyja shteteve”.
“Për ta bërë faktikisht hapësirën e përveçme të secilit shtet një hapësirë të përbashkët – lëvizje, ndërveprimi, bashkëpunimi dhe zhvillimi”.
Ai në fund ka deklaruar se Shqipëria e mbështet plotësisht Kosovën në procesin e njohjes së plotë si shtet sovran në raport me të gjitha shtetet dhe institucionet.
“Dua të theksoj që ne jemi 100 për qind në mbështetje të Kosovës në gjithë betejën për të çuar përpara procesin e njohjes së plotë dhe të afirmimit të plotë përfundimtar si shtet sovran dhe demokratik në të gjitha instancat dhe në raport me të gjitha shtetet dhe institucionet”.















