Lajme
Qeveria mban peng kanalin TVM 24 orësh në gjuhën shqipe?

Ka kaluar një kohë e gjatë që RTVM ka probleme me ndarjen e mjeteve të parashikuara nga Qeveria.
Servisi Publik nuk i merr paratë e nevojshme buxhetore të parashikuara, që këtë vit duhej të arrinin 0.9 për qind. Aktualisht merr vetëm rreth 0,5 për qind. Në debatin e sotëm në lidhje me financimin e televizionit publik, drejtuesit e RTVM-së thonë se ekzekutivi po mban peng RTVM-në përmes zgjidhjeve ligjore.
“Është dërguar projekti deri te Qeveria se si duhet të zbatohet ligji lidhur me programin për kanalin 24-orësh në gjuhën shqipe. Ja këtu para meje është i gjithë projekti i cili përfshin planin për financa dhe punësime. Në 2017 i njëjti kaloi si ankesë në Kuvend, ndërsa deri tani asgjë nuk ka”,– tha zëvendës-drejtori i RTVM-së, Harun Ibrahimi.
“Shteti përmes zgjidhjeve aktuale ligjore е mban peng RTVM-në duke mos zbatuar ligjet aktuale dhe duke mos lejuar të ketë asnjë zhvillim. Është koha e duhur që të miratohet një ligj i veçantë “leks specialis”. Nuk është logjike që të presim leje me muaj të tëra nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës për çdo emërim apo risistemim brenda redaksive ose për të punësuar persona tjerë”,- u shpreh drejtori ekzekutiv i RTVM-së, Marijan Cvetkovski.
Nga misioni i BE-së janë të interesuar të ndihmojnë në këtë drejtim.
Sipas të dhënave të EBU-së, niveli më i ulët i mjeteve të financimit që vendet europiane i ndajnë për serviset e tyre publike kap vlerën e së paku prej 12 eurove për kokë banori, sipas kësaj llogaritjeje, për RTVM-në duhet të sigurohen 25 milion euro në vit. Aktualisht RTM ka 763 të punësuar dhe për shkak të moslejimit të punësimeve të reja, ky numër në vazhdimësi zvogëlohet./TVM2/















