Kosovë
Politika që bashkoi VV-në me PSD-në në Prishtinë: RRSHP thotë që do ta rrisin papunësinë për 20 për qind

Këshilltarët në Kuvendin e Komunës së Prishtinës janë dakorduar që të ndalojnë të dielen si ditë pune duke i bërë kësisoj një shërbim të madh bizneseve të mëdha dhe duke dëmtuar rëndë biznesin e vogël e të mesëm, dhe sidomos bizneset me njerëz të vetëpunësuar.
Në disa komuna tashmë një formë e tillë e ndalesës ka filluar, por me shumë parregullsi të evidentuara.
Në Vushtrri janë qendrat e mëdha tregtare të cilat punojnë edhe të dieleve, duke paguar një taksë të vogël shtesë, shkruan Periskopi. Një gjë e tillë parashihet që të ndodh edhe në Prishtinë, vendosja e taksës për ata që duan të punojnë edhe të dieleve – por në këtë pikë është e logjikshme të mendohet se dëmtohet biznesi i vogël dhe i mesëm që nuk do të mund ta paguajë taksën duke i lënë të lirë operimin kompanive të mëdha.
Së fundi ka reaguar edhe Rrjeti i Shitësve me Pakicë [RrShP] e të cilët konsiderojnë se një masë e tillë do të rriste papunësinë për 20 për qind, si dhe do t’i zvogëlonte të ardhurat për punëtorët për 8 për qind.
Periskopi më herët përgatiti një artikull për këtë çështje.
Më poshtë komunikata e plotë e Rrjetit të Shitësve me Pakicë:
“11 shkurt 2020 – Rrjeti i Shitësve me Pakicë përmes kësaj komunikate për medie shpreh shqetësimin e anëtarëve lidhur me vendimet e disa Kuvendeve Komunale për ndalimin e veprimtarisë afariste në ditën e diel.
Rrjeti i Shitësve me Pakicë cilëson se ndërhyrja në aktivitetet e subjekteve afariste konstituon me kufizim të konkurrencës së lirë në ekonominë e tregut e cila është e garantuar përmes dispozitave kushtetuese ndërsa një praktikë e tillë gjithashtu do të kishte implikime të dëmshme në zhvillimin ekonomik dhe përkeqësimin e ambientit të bërit biznes.
Vendimi për ndalimin e veprimtarive afariste ditëve të diela do të vështirësojë operimet e subjekteve afariste duke ndikuar drejtëpërsëdrejti në uljen e normave të punësimit në Komuna.
Në bazë të dhënave të derivuara nga bizneset operuese në sektorin e shitjeve me pakicë rezulton se bizneset do të jenë të detyruara të shkurtojnë numrin e punëtorëve me rreth 20%.
Rrjeti i Shitësve me Pakicë konsideron mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve jetike në zhvillimin e ekonomisë së vendit, ndërsa garantimi i këtyre të drejtave duhet të bëhet përmes dispozitave ligjore të cilat rregullojnë të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës duke mos ndikuar në operimet e subjekteve afariste.
Vendimi për ndalimin e veprimtarive afariste ditëve të diela, padyshim që do të ketë implikime edhe në zvogëlimin e të ardhurave nga shitjet, që parashihet në një normë prej 8% të qarkullimit, e që pamundëson zgjerimin dhe zhvillimin e sektorit të shitjeve me pakicë.
Për më tepër, vendim i tillë në Komuna të caktuara do të ketë efekte në rritjen e informalitetit si rrjedhojë e mungesës së kapaciteteve për inspektim. Rrjedhimisht, Rrjeti i Shitësve me Pakicë konsideron se çdo efekt pozitiv i gjeneruar nga një politikë e tillë do të mbipeshohej nga ndikimet negative që do të kishte në ekonominë e vendit.
Prandaj, konsiderojmë se angazhimi i institucioneve të qeverisjes lokale duhet të jetë i bazuar në krijimin e një mjedisi të shëndoshë për sektorin privat i cili krijon parakushte për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror.
Përfundimisht, Rrjeti i Shitësve me Pakicë kërkon nga Asociacioni i Komunave që në koordinim me komunat përkatëse të rikonsiderojnë me kujdes iniciativën për ndalimin e veprimtarive afariste për objekte tregtare ditëve të diela duke marrë parasysh ndikimet negative që kjo politikë do të gjenerojë në në uljen e normave të punësimit, rritjen e informalitetit dhe në përkeqësim të ambientit të të bërit biznes.”
Shoqata “Rrjeti i Shitësve me Pakice” (RRSHP) është organizatë jofitimprurëse, joqeveritare e themeluar nga anëtarët e saj, në mbështetje të zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike reciproke të dobishme mes anëtarëve të Rrjetit në njërën anë dhe institucionevetë Republikës së Kosovës në anën tjetër.






















