Sport
Pamjet/ Përplasje në fushë e tribuna, eskalon ndeshja në kampionatin shqiptar

Kategoria e Parë e futbollit mbylli dje shtatë takime, me Devollin që triumfoi në shtëpi përballë Turbinës. Ndeshja ishte shumë e tensionuar, ndaj në fundin e saj është dashur edhe ndërhyrja e forcave të rendit, që kanë shoqëruar ekipin mik, shkruan Newsport.
Takimi ka nisur i tensionuar, me kryesorin Mikele Dyrmishi që ka treguar kartonin e kuq qysh në minutën e gjashtë për sulmuesin e cërrikasve, Peqini. Më tej ndeshja ka vijuar mes tensionit, aqsa trajneri i Turbinës Allamani ka shkëmbyer replika dhe ofendime me tribunën e tejmbushur nga tifozër e Devollit. Një gol në fundin e takimit për rezultatin 2-1, ka bërë që tensioni të rritet dhe lojtarët në fushë të kapen me njëri-tjetrin. Në fund një tjetër karton i kuq për portierin Mali të vendasve, për vonesë loje.
Siç duket edhe nga video që po qarkullon në rrjetet sociale, tensioni ka qenë i lartë gjatë gjithë ndeshjes, duke bërë që klubi i Turbinës të shprehë ankesat e veta ndaj organizimit të kësaj ndeshje.






















