Kosovë
Oda e Avokatëve nis procedurë disiplinore ndaj Tomë Gashit pasi shqelmoi paratë e lypësarit

Dhjetëra qytetarë kanë protestuar sot para zyrë së avokatit Tomë Gashi për sjelljen e tij abuzive ndaj një lypësi, ku në videon e publikuar nga Periskopi shihet duke ia shqelmuar paratë në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.
Protesta ishte thirrur nga Youth Initiative for Human Rights Kosovo – YIHR , ku protestuesit dënuan ashpër veprimin e avokatit Gashi.
“Jemi mbledhur këtu disa qytetarë për të shprehur indinjatën tonë ndaj një veprimi që avokati Tomë Gashi ka bërë ditë më parë. Siç e dini të gjithë, një video që është bërë virale nëpër rrjete sociale, ku Gashi shihet duke shqelmuar paratë e një personi, i cili ka qenë duke kërkuar lëmoshë në sheshin ‘Nënë Tereza’, ne si iniciativë e të rinjve për të drejtat e njeriut dhe si pjesë e shoqërisë civile e dënojmë ashpër veprimin e tij”, ka thënë Blendë Pira nga YIHR Kosovo.
Ndaj këtij veprimi ka reaguar edhe deputeti egjiptian Veton Berisha, i cili e ka mbështetur protestën, duke shtuar se për të vënë rend e ligj janë organet kompetente.
“Nuk jam ndier mirë me veprimet e z. Gashi, pasi është personalitet i njohur dhe e njeh drejtësinë dhe të drejtat e njeriut. Mendoj që Gashi ka dalë nga kompetencat e mandatit të tij. Ne si qytetarë kemi të drejtë vetëm të ndihmojmë shtetin në luftimin e dukurive negative, ndërsa në rastin e Tomë Gashit, e ka humbur durimin dhe i ka marrë punët e shtetit në dorë”, ka thënë deputeti Veton Berisha.
Ndërkaq sot Oda e Avokatëve të Kosovës ka bërë të ditur se ka nisur procedurën disiplinore ndaj avokatit Gashi.
“Në media ka qarkulluar një video rreth sjelljes së avokatit Tomë Gashi, ku zyra e prokurorit, e cila funksionon në kuadër të Odës së Avokatëve të Kosovës, ka bërë protokollimin e këtij rasti, të cilin do ta trajtojë tutje në procedurë disiplinore. Vlen të ceket se kemi pranuar edhe një ankesë nga një qytetar në lidhje me këtë çështje”, ka thënë Florim Shefqeti, drejtor i OAK-së.
Kujtojmë se videoja ku avokati Gashi shqelmon paratë e lypësit në Prishtinë është publikuar ekskluzivisht nga Periskopi.
![]()
![]()



















