Kosovë
Tërnava kërkon 500 mijë euro nga ish punëtori i tij që e akuzoi për hajni

Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar për ditën e nesërme një seancë në të cilën palë paditëse është hiç më pak se kryemyftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ndërkohë që si i paditur është Emin Behrami.
Behrami në prillin e vitit 2019 kishte ushtruar kallëzim penal ndaj kreut të Bashkësisë Islame të Kosovës [BIK] me pretendimin se në vitin 2002 i kishte vjedhur 300 mijë marka, e të cilat kishin qenë pronë e BIK-ut.
Behrami më herët kishte punuar si mësimdhënës në Medresenë “Alaudin”, ndërsa në atë kohë Naim Tërnava ishte drejtor i kësaj të fundit.
Tërnava jo vetëm që ka mohuar akuzën por ka paditur paditësin e tij duke i kërkuar edhe 500 mijë euro dëmshpërblim si kompensim të dëmit material si pasojë e shpifjes dhe fyerjesh.
Përndryshe, në postimin e tij në rrjetin social “Facebook” Behrami kishte shkruar se myftiu ka vjedhur katër mandate, siç ka thënë ai, nga një Kushtetutë e falsifikuar dhe po u shërben vetëm interesave të tij karrieriste.
“Edhe më keq se kjo, Tërnava në prag të shpalljes së vetvetes si Mufti i BIK-ut në vitin 2002, i vodhi 300.000 DM (treqind mijë marka gjermane), për fatin e të cilave kurrë nuk u njoftuan muslimanët, ndërsa këtë veprim kriminal ai e ka pranuar publikisht.Ato humbën në pikë të ditës, ndërsa kurrë nuk u ndoq, sepse ishte kryetar i Kuvendit të BIK-ut dhe drejtor i Medresesë, vepër penale kjo të cilën ia paraqita organeve kompetente të shtetit, me propozim që pas hetimit të rastit, kryetarin Tërnava ta dënojnë sipas ligjit. Më gjërësisht lexoni Kallëzimin penal”, pati shkruar Behrami vitin e kaluar. /Periskopi
![]()




















