Connect with us

Kosovë

Nëna e vogëlushit të rrahur në Kopsht rrëfen detaje të rënda për Periskopin

Publikuar

me

Pamjet shokuese të edukatores Teuta Gashi në çerdhen ‘Cambridge Kids’,  e cila shihet duke e rrahur një fëmijë i cili nuk i bindej që të ulej në karrocë, ka tronditur mbarë opinionin në Kosovë.

Padyshim, ata që kanë pësuar më së shumti tronditje nga kjo pamje, janë vetë prindërit e vogëlushit 18 muajsh.

Se si e përzgjodhën këtë kopsht të kushtueshëm në krahasim me të ardhurat e kosovarëve, se si e përjetoi të gjithë ngjarjen dhe si erdhi deri të sigurimi i pamjeve, në një rrëfim për Periskopin, nëna e vogëlushit Naila Gori ka treguar të gjithë historinë.

Ajo ka treguar është një nënë e cila sakrifikohet duke punuar në Afrikë, vetëm që fëmijës së saj t’i sigurojë një jetë të mirë e të rehatshme. Thotë se ishte në gjendje të paguajë një shumë tepër të lartë, vetëm që të sigurohet që fëmija I saj do të jetë në një përkujdesje e mirëqenie.

“Zgjedhja është bërë në bazë të kushteve. Ambienti është shumë i mirë, dhe në fillim nuk ka pasë shumë fëmijë. Në grupin e djalit tim ka pasë vetëm 4 fëmijë dhe 2 edukatore. Djali ne fillim s’ka dashur të largohet nga kopshti sepse I pëlqente shumë. Tjetër arsye është që objekti ka qenë nën vëzhgim të kamerave. Edhe meqë çmimi është 250 €, çmim ky mjaftë i lartë për standardin e Kosovës, kemi menduar që fëmija ka me qenë i trajtuar mirë”, ka treguar Gori për Periskopin.

Ndonëse nuk është gjithmonë pranë djalit të saj, për këtë të fundit kujdeset bashkëshorti i Nailas (babai i vogëlushit), ajo thotë se bashkëshorti ka thënë se kohëve të fundit vogëlushi refuzonte të shkonte në kopsht, dhe se nga aty kanë nisur dyshimet për keqtrajtimin e mundshëm që mund t’i jetë bërë të voglit.

“Unë punoj në Afrikë, dhe babai është ai që kujdeset për fëmiun kur nuk jam aty. Para 3 jave burri më ka tregu që po dyshon diçka se fëmija po  shfaqë  rezistencë në momentin kur donte ta linte në kopsht. Nuk e ka ditur tamam arsyen, por ka pasur dyshime se diçka mund të ketë ndodhur”, rrëfen tutje nëna e vogëlushit.

Ajo ka treguar edhe momentin se s bashkëshorti i saj e kishte parë përmes kamerave të sigurisë rrahjen që po i bëhej të birit.

“Kopshti e ka kompjuterin në hyrje, i cili është i menaxheres të kopshtit. Ndërsa fëmijët ndodhen në katin e parë. Burri ka shku me marrë fëmijën nga kopshti, edhe i kanë thënë që janë duke e bërë gati. Ai u ka kërkuar që ta shohë në kamerë se si po e përgatisin fëmijën për në shtëpi. Videoja e që e kam shpërndarë është pikërisht momenti kur bashkëshorti e ka parë se si po e keqtrajtonte djalin. Krejt rastësisht”, rrëfen Naila.

Ajo ka treguar se më pas bashkëshorti i saj e ka incizuar me telefon atë video përmes monitorit të kompjuterit të kopshtit, ndërsa i ka kërkuar kopshtit që të ketë qasje në videot e tërë javës.

Tregon se ajo personalisht i ka paralajmëruar udhëheqësit e kopshtit dhe edukatoren në fjalë se do t’i ndjek penalisht.

“Bashkëshorti e ka bërë incizimin me telefon, dhe e ka dërguar fëmiun në shtëpi. Pastaj u kthy në kopsht edhe ka kërkuar që t’i lejohet marrja e të gjitha videove të javës  (videot ruhen në server 7 ditë ). Pastaj ka shkuar në Polici dhe e ka paraqitur rastin. Unë personalisht kam kontaktu me drejtoreshën e kopshtit dhe me edukatoren dhe ju kam treguar qëdo t’i padisë, për të qenë të informuar”, tregon tutje ajo.

Ajo tha se megjithëse e kanë përjashtuar nga puna edukatoren Teuta Gashi, nga kopshti Cambridge Kids ka pranuar vetëm një kërkimfalje dhe asgjë më shumë.

Por ajo tregon se kjo nuk mjafton për dëmin e shkaktuar psikologjik ndaj vogëlushit të saj.

Ajo madje thotë se publikimin e videos e ka bërë që të sensibilizojë të gjithë prindërit, dhe tu bëjë thirrje institucioneve që të monitorojnë punën e këtyre çerdheve publike, në mënyrë që të mos pësojnë fëmijët nga sjellje të tilla të edukatorëve.

Naila me të drejt shtron pyetjen se “Çfarë ndodhë në ato kopshte ku nuk ka kamera’?

“Rasti ka ndodhur më 10 Shkurt 2020. Edukatorja është përjashtuar para se ta bëja videon publike. Por, unë nuk kam mundur ta pranojë vetëm një kërkimfalje si zgjidhje të problemit dhe dëmeve të shkaktuara. Për atë edhe e publikova videon, që institucionet me qenë të vetëdijshme se çka po u ndodhë fëmijëve nëpër kopshte. Ky kopsht ka kamera. E çka ndodhë në kopshte ku ato nuk ekzistojnë?!?!”, është shprehur ajo.

Ajo ka kërkuar ndihmën e prindërve për të përzgjedhur ndonjë kopsht për ta dërguar fëmijën, derisa ka shfaqur frikën se më nuk mund t’ia besojë askujt fëmijën e saj për përkujdesje.  Ajo është shprehur e shokuar se si një kopsht me renome siç është ‘cambridge Kids’ është raportuar se madje nuk ka as licensë për punë.

“Mbasi me ndodhi ky rast, ma nuk di çka me thënë. Unë kam jetu me bindje që fëmija im është në duart e sigurta, në një ambient të përkryer dhe me staf profesional. Kam qenë e gatshme me të paguajë çmim astronomik (për standardet e Kosovës) vetëm qe fëmija im të ketë  rahati. Mbasi ndodhi kjo, tash absolutisht nuk besoj në asnjë çerdhe, dhe kam frikë me e dergu djalin në cilindo kopsht. Ju kisha lut prindërve  të më ndihmojnë në këtë rast dhe ta shpërndajnë sa më shumë videon  të cilën e postova, që kurrë më asnjë fëmije të mos i ndodhë ajo çfarë i ka ndodhur djalit tim. I ftoj prindërit që gjithashtu të ketë kujdes në përzgjedhjen e kopshtit, e jo si unë që tash e mora vesh që Cambridge KIDS as nuk ka patur licencë për punë:, ka thënë në fund Naila Gori, nëna e vogëlushit me të cilin kishte abuzuar fizikisht edukatorja.

Ndërkohë Policia e Kosovës ka njoftuar sot se e ka arrestuar edukatoren  Teuta Gashi  dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Pjesë e kopshtit ‘Cambridge Kids/’ është edhe mamia e njohur kosovarë Razije Musa, e cila ka dhënë këshilla pafund në mënyrën e të ushqyerit dhe edukimin e fëmijëve.

Duke u thirrur nga përvoja e saj e gjatë në vende të ndryshme të botës si Libi e Angli, mamia Razije Musa kishte botuar edhe një libër me titull ‘Takim me te porsalindurin”.

Kjo zonjë që gëzonte respekt kryesisht nga nënat e reja, u bë pjesë e kopshtit “cambridge Kids’ të cilin edhe e promovonte kohëve të fundit për mënyrën se si i trajton fëmijët.

Por, në një video të publikuar pasditen e së martës, ishte Razije Musa e cila u pa duke ia shtrënguar kokën një vogëlushi të kopshtit dhe duke i bërtitur. Këto pamje kanë revoltuar shumë njerëz në Kosovë, kryesisht ata që janë prindër.

Reagim ka pasur edhe nga kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti i cili e ka dënuar rastin./Periskopi/

 

 

SHPËRNDAJE ME MIQ!
Advertisement

MË TË LEXUARAT

Portali Zyrtare u themelua nga një grup gazetarësh të rinjë në vitin 2018. Të motivuar nga nevoja për lajme të shpejta dhe të vërteta, në Maqedoni, ndër shqiptarë dhe për shqiptarët – Zyrtare nuk ishte veçse një kërkesë e kohës. Kontakt e-mail: portali.zyrtare@gmail.com Shared By Fancy Text Generator

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com