Connect with us

Kosovë

Negocimi për krimet e luftës

Publikuar

me

Udhëheqësja e Departamentit për Krime Lufte në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, thotë se në ndjekjen e krimeve të luftës pengesë serioze është mungesa e bashkëpunimit juridik me Serbinë.

Krimet e luftës vazhdojnë të peshojnë fort në krahët e Kosovës dhe të Serbisë, që mbajnë pothuajse të paprekur dosjen e gjerë të krimeve të luftës, duke ua mundësuar kryerësve t’i shmangen drejtësisë.

Më 2018-n Prokuroria e Kosovës ka trashëguar nga EULEX-i më shumë se 900 lëndë për krimet të luftës dhe rreth 2000 dosje për të zhdukurit, të klasifikuara gjithashtu si krime lufte që përbëjnë një barrë të rëndë për prokurorët vendorë, jo vetëm për vëllimin e tyre, por edhe për problemin e aspektit kohor të grumbullimit të provave.

Udhëheqësja e Departamentit për Krime Lufte në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, thotë se në ndjekjen e krimeve të luftës pengesë serioze është mungesa e bashkëpunimit juridik me Serbinë.

“Aktualisht Serbia po strehon shumicën e kriminelëve të luftës. Një tjetër pengesë është edhe sigurimi i provave materiale, jo vetëm nga Serbia, por edhe nga Tribunali për ish-Jugosllavinë në Hagë”, thotë Hajdari.

“Një tipar i veçantë i lëndëve të krimeve të luftës në Kosovë është paqasshmëria e të dyshuarve, dëshmitarëve dhe materialit provues, prej të cilëve shumica gjenden në Serbi”, shton Hajdari.

Ajo sugjeron që bashkëpunimi juridik të jetë pjesë e dialogut, që Kosova e Serbia pritet ta rifillojnë këtë vit.

“Çështja e krimeve të luftës dhe mënyra e bashkëpunimit juridik me Serbinë duhet të ngrihet në nivel ndërkombëtar. Në të kundërtën shumica e kriminelëve do të mbesin pa u ndëshkuar”.

Hajdari thotë se Serbia e Kosova mund të përdorin shembullin e marrëveshjes së Kroacisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës me Serbinë sa i përket bashkëpunimit dhe ndjekjes së krimeve të luftës.  Deri në vitin 2016 pati një bashkëpunim mes EULEX-it dhe Serbisë sidomos në çështjen e personave të zhdukur.

Misioni, që dështoi të ngrejë aktakuza për krime lufte të kryera nga forcat serbe në Kosovë, thotë se tani po avokon për rritjen e bashkëpunimit rajonal në hetimet e krimit të luftës.

“Drejtësia duhet të vihet në vend dhe të ndëshkohen kryerësit e krimeve të luftës. EULEX-i nuk mundi të ngrejë aktakuza për krime lufte, pasi ligji i Kosovës nuk lejonte aktakuza në mungesë”, ka thënë për “Zërin” Ioanna Lachana, zëdhënëse e EULEX-it.

Familjarët e personave të zhdukur në Kosovë gjithashtu po ankohen se kërkimi i tyre është peng i mungesës së bashkëpunimit.

Bajram Qerkinaj, nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, thotë se mosbashkëpunimi ka bërë që Serbia dhe Kosova të jenë strehë për ata që vranë dhe zhdukën shumë njerëz.

“Ne kërkojmë që çështja e të zhdukurve të jetë pikë e parë në bisedime”, thotë Qerkinaj.

Në pothuajse të gjitha rastet Serbia kërkoi që ata të dërgohen në mënyrë joformale në pikën më të afërt kufitare. Pati raste kur ata u lanë në zonën neutrale të kufirit dhe më pas ishin arrestuar nga Policia e Serbisë.

Vesna Rakic Vodinelic, një profesoreshë e Fakultetit Juridik në Universitetin e Beogradit, thotë se bashkëpunimi juridik mes Kosovës e Serbisë do të jetë peng i mungesës së sundimit të ligjit brenda vetë këtyre shteteve.

“Në Kosovë e në Serbi mbizotëron ndikimi politik mbi drejtësinë (sidomos mbi prokurorinë). Mungesa e sundimit të ligjit përbën një pikë kritike dhe çështja e shmangies nga drejtësia është vetëm një nga problemet”, thotë Rakic Vodinelic për “Zërin”.

“Bashkëpunimi juridik është pjesë qenësore e çfarëdo niveli të dialogut. Por problemi qëndron se asnjëra palë nuk duket të jetë aq e interesuar për sundim të ligjit”, shton ajo.

Derisa bashkëpunimi duket i pamundur, një sfidë tjetër për Prokurorinë e Kosovës po bëhet vdekja e të mbijetuarve dhe pritja e gjatë e tyre për drejtësi.

“Kemi hasur në dëshmitarë të zhgënjyer me drejtësinë e vonuar dhe të cilët nuk kanë interesim të dëshmojnë”, thotë Drita Hajdari.

SHPËRNDAJE ME MIQ!
Advertisement

MË TË LEXUARAT

Portali Zyrtare u themelua nga një grup gazetarësh të rinjë në vitin 2018. Të motivuar nga nevoja për lajme të shpejta dhe të vërteta, në Maqedoni, ndër shqiptarë dhe për shqiptarët – Zyrtare nuk ishte veçse një kërkesë e kohës. Kontakt e-mail: portali.zyrtare@gmail.com Shared By Fancy Text Generator

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com