Kosovë
Mustafa kundër Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit: Reciprociteti ndaj Serbisë kompleks dhe me pasoja

Vazhdimi i dialogut Kosovë – Serbi, i lidhur ekskluzivisht me heqjen e taksës 100 për qind, është një nga sfidat kryesore që ka qeveria në krye me Albin Kurtin.
Marrëveshja e koalicionit LVV – LDK, saktëson se kjo masë do të hiqet, për t’u zëvendësuar me reciprocitet të plotë politik dhe ekonomik ndaj Serbisë.
Mirëpo, rruga drejt këtij procesi nuk po shihet me sy të njëjtë nga partnerët.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë për Gazetën Express se reciprociteti është shumë kompleks dhe me pasoja shumë dimensionale.
Marrëveshja e bashkëpunimit në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për koalicionin, saktëson se tarifa 100 për qind e vendosur nga Qeveria Haradinaj do të hiqet, për t’u zëvendësuar me masë të reciprocitetit.
Për këtë ka folur vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke bërë të ditur se me Serbinë, qeveria do të vendos për reciprocitet të plotë politik dhe ekonomik.
Derisa Kurti u shpreh i bindur për parimin e reciprocitetit e tha se për këtë janë dakorduar me partnerin në qeveri, LDK këtë nuk po e sheh aq lehtë të realizueshme.
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani dje në një paraqitje para mediave tha se kjo çështje kërkon studim, e të njëjtin qëndrim e përsëriti pak më vonë edhe përmes një publikimi në rrjetin social Facebook.
Për këtë temë sot ka folur edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Isa Mustafa enjten ka thënë se dialogu e tarifa e vënë nga qeveria Haradinaj janë prej punëve të shumta që ka qeveria e re.
Mustafa thotë se me Lëvizjen Vetëvendosje janë dakorduar që tarifa të ndërlidhet me reciprocitetin, mirëpo, shton se kjo tashmë i mbetet qeverisë.
“Në fillim të kësaj jave është zgjedhur Qeveria, e cila para vetes ka shumë punë, përfshirë edhe dialogun por edhe tarifën e vënë nga Qeveria Haradinaj. Në programin qeverisës jemi pajtuar që tarifa të ndërlidhet me reciprocitetin. Kjo tani është çështje e qeverisë dhe unë do të kursehesha që në këtë fazë të them se si duhet të bëhet”, thotë Mustafa.
Mustafa vlerëson se reciprociteti është kompleks dhe ka pasoja shumëdimensionale, e që qeveria duhet të gjejë rrugë më të mirë me të cilën pajtohen SHBA dhe Bashkimi Evropian.
“Por duhet të them se është shumë komplekse dhe me pasoja shumëdimensionale. Besoj që Qeveria mund ta gjejë rrugën më të mirë, të bashkërendis me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçmas me SHBA dhe BE”, ka deklaruar Isa Mustafa






















