Connect with us

Kosovë

Ministrja Dumoshi me dy pozita publike, shoqëria civile sheh rrezik për konflikt interesi

Publikuar

Në një raport televiziv nga ana e KTV-së, del se ministrja Vlora Dumoshi mban dy pozita.

Ajo është këshilltare komunale në Prishtinë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës [LDK], ndërkohë që pas ardhjes së Qeverisë Kurti, u emërua edhe ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Ndonëse me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale i lejohet asaj mbajtja e të dyja posteve, organizata të shoqërisë civile, që monitorojnë punën e qeverisë lokale, janë skeptikë në përmbushjen e këtyre obligimeve.

Ata shtojnë se në raste të tilla, ekziston rreziku për konflikt interesi.

Megjithatë Dumoshi ka thënë se ende nuk ka vendosur rreth kësaj çështjeje, sepse fillimisht duhet të konsultohet me organet brenda partisë së saj, por shton se, si njëra ndër gratë më të votuara në vend, ka obligim edhe ndaj qytetarëve të Prishtinës.

Për Dumoshin, kjo është hera e dytë që emërohet ministre në këtë dikaster. Në 2017-n ajo qëndroi ministre e Kulturës rreth dy muaj në fund të qeverisjes së Isa Mustafës.

Megjithatë, ky nuk do të ishte rasti i parë që një ministër mban edhe pozitën e këshilltarit komunal.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, kishte zgjedhur t’i mbante të dyja postet, ani se pothuajse asnjëherë nuk ishte prezent në seancat e Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Kujtim Gashi gjithashtu, sa ushtronte funksionin e ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sportit, ishte edhe kryesues i Kuvendit Komunal të Prizrenit.

Gjithashtu të dyja pozitat, atë të ministrit dhe këshilltarit komunal, për një kohë të gjatë i kishte mbajtur edhe Blerand Stavileci./Periskopi

NA NDIQ NË FACEBOOK