Kosovë
Ministria e Brendshme thotë se do të punojë në zbardhjen e rastit tragjik në Gjilan

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, është shprehur thellësisht i prekur nga ngjarja tragjike që të martën ndodhi në Gjilan, ku për pasojë gjetën vdekjen pesë anëtarët e familjes Bllaca.
Në komunikatën e kësaj ministrie, thuhet se MPBAP-ja “është pranë familjeve të viktimave të cilët humbën jetën, me bindjen e thellë që me të gjitha mekanizmat shtetërore të sigurisë do të zbardhin shkaqet e vrasjes”.
“MPBAP që prej momentit që ka ndodhur rasti, ka angazhuar të gjitha institucionet e Sigurisë, si Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, në mënyrë që të shikohen të gjitha rrethanat që quan në kryerjen e kësaj vrasje”, thuhet në komunikatë.
Të martën në Gjilan, dyshohet se pjesëtarja e Policisë së Kosovës, Valdete Bllaca, vrau prindërit, dy vëllezërit dhe veten me armë zyrtare.
“MPBAP-ja do të përdorë të gjitha kapacitetet e saj institucionale që raste të tilla, ku përfshihen zyrtarë policorë në akte kriminale, të mos përsëriten më”, thuhet në komunikatë.





















