Kosovë
Maliqi: Kurti e Thaçi të bëhen bashkë, Grenell tash do të merret me Kosovën edhe më shumë

Analisti Agon Maliqi, ka deklaruar se emërimi i ambasadorit amerikan Richard Grenell si shef i Agjencive të Inteligjencës Kombëtare, të mos mendohet se ai nuk do të merret me Kosovën.
Maliqi po thotë se emërimi i ri i Grenellit vetëm se është një shtytje për të për finalizuar marrëveshjen Kosovë-Serbi dhe për ta cilësuar si projekt personal.
Kjo sipas tij mundet të ndodhë pasi ambiciet e Grenellit janë që ai të bëhet si Sekretar i Shteti amerikan në mandatin e dytë të Trump.
Postimi i plotë:
Gaboheni rëndë nëse mendoni se Grenell nuk ka me u marrë me neve tash që ka hyp atje lart. Madje, gjasat më të mëdha janë se ka për të ndodhur e kundërta – se ka me i dhanë shtysë kësaj pune prej pozitës ma të naltë të mundshme si projekt personal, meqë ambiciet me gjasë i ka për Sekretar të Shtetit në mandatin e dytë të Trump (nëse ky fiton, e për momentin gjasat realisht nuk i ka të këqija). Madje, sipas raportimeve të deritanishme të mediave, Grenell me gjasë do ta mbajë paralelisht edhe postin e Ambasadorit në Gjermani. Kjo nuk është një administratë tradicionale amerikane, operaton gati si qeveri ballkanike. Në këtë moment është jetik një konsensus kombëtar, veçanërisht mes Kurtit (si njeriu me legjitimitetin më të madh politik) dhe Thaçit (si njeri me peshë që e ka imponu veten në këtë proces), për hapat në vijim. Kjo qasje e deritashme e hezitimit të skajshëm (nga Kurti) dhe protagonizmit të tepërt (nga Thaçi) mundet me na marrë në qafë keq. Kosova, e madhe sa një lagje e Stambollit, është duke e mbivlerësuar peshën e vet në këtë periudhë shkundjesh tektonike.



















