Kosovë
Kush është Predrag Markoviqi, politikani serb nga i cili u mashtrua deputetja e VV-së?

Politikanët e Kosovës mund të jenë mashtruar nga politikanët serbë me ato që këta të fundit i kanë thënë. Por, nuk ka ndodhur ndonjëherë që një politikan i Kosovës të mashtrohej edhe nga ato fjalë të politikanëve serbë që nuk u thanë asnjëherë.
Kjo saktësisht i ndodhi deputetes së Vetëvendosjes, znj.Fatmire Kollçaku Mulhaxha, e cila njëherit është edhe nënkryetare e partisë.
Ajo paraqiti qëndrimet e politikanit serb Predrag Markoviq, ku ledhatohej kryeministri Kurti por ku po ashtu fyhej lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në fund, doli se Markoviq nuk kishte ledhatuar asnjëherë Kurtin, dhe as që e kishte përmendur fare UÇK-në. Gjë që e bëri tepër shqetësuese huqjen e deputetes Kollçaku, shkruan Periskopi.
Por, kush është Predrag Markoviq?
Markoviqi është një politikan, shkrimtar e historian serb 65 vjeçar që shërbente si nënkryetar i Partisë Socialiste Serbe, që dikur drejtohej nga famëkeqi Sllobodan Millosheviq.
Ky personalitet është tepër i njohur dhe me ndikim në Serbi, duke shërbyer si President i Asamblesë Kombëtare Serbe prej vitit 2004 e deri në vitin 2007, dhe për disa muaj madje ishte edhe ushtrues detyre i Presidentit të Serbisë dhe Malit të Zi.
Sidoqoftë, ai ka humbur shumë nga popullariteti. Në zgjedhjet e vitit 2018 për kryetar të Beogradit, ai arriti t’i merrte vetëm 4 mijë e 291 vota.




















