Kosovë
Kurti tenton ta kontrabandojë tarifën në Qeveri, pa votat e ministrave të LDK-në

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje e bëri të ditur planin e tij për largimin e përshkallëzuar të tarifës 100 % për produktet serbe dhe boshnjake. Ideja e tij u kundërshtua ashpër nga përfaqësuesi i Presidentit Trump, ambasadori Richard Grenell.
Kjo ide mbrëmë u kundërshtua edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila e kërcënoi kryeministrin Kurti me largim nga Qeveria, nëse ai hyn në konfrontim me SHBA-në.
Por, pikërisht kjo mësohet se ka qenë plan i kryeministrit Kurti, i cili projeksionin për tarifën e ka bërë pa u konsultuar fare me LDK-në.
“Kurti nuk zmbrapset as nga LDK-ja, as nga amerikanët. Ai ka autoritet të pakontestueshëm si kryeministër. Është shqiptar dhe nuk është ndërkombëtar. Nuk e ka në plan as të ndërkombëtarizohet, por ta shqiptarizojë vendimmarrjen”, ka thënë ky burim për Periskopin.
Sipas burimeve të afërta me Kurtin, përkundër kundërshtimeve të LDK-së, ai ende nuk ka hequr dorë nga ideja e tij dhe në mbledhjet e ardhshme të Qeverisë synon ta hedh në votim edhe pa mbështetjen e LDK-së.




















