Connect with us

Kosovë

Kurti premtoi subvencionim të pagës për punëtorët e privatëve

Publikuar

Albin Kurti tashmë është zgjedhur kryeministër i Kosovës. Në seancën ku pritej të votohej si kryeministër ai paraqiti ekspozenë për të treguar pikat e trasha të programit qeverisës edhe pse nuk solli programin e detajuar qeverisës – ashtu siç nuk kishin bërë as kryeministrat e tjerë para tij. Një pikë e programit ekonomik u duk mjaft e mirë dhe shpresëdhënëse.

Ekspozeja e tij ishte 24 minutëshe e në të cilën Kurti lexoi shkurtimisht pikat e Marrëveshjes për Bashkëqeverisje që kishte arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës [LDK].

Pika e programit ekonomik që u duk mjaft interesante ishte ajo e subvencionimit të pagave për punëtorët e sektorin privat. Si duket, një gjë të tillë z.Kurti e ka marrë në reflektim ndaj Ligjit të Pagave që pritet të rris edhe më shumë pagën për punëtorët e sektorit publik, duke e bërë shumë më të lartë se pagën e punëtorëve në sektorin privat, shkruan Periskopi.

Por, një ekonomist me emrin Mustafë Kadriaj, i kontaktuar nga portali ynë ka shprehur skepticizëm në lidhje me këtë ide duke e cilësuar atë si “populiste” dhe me pasoja negative në rast të realizimit eventual.

“Të bërit ekonomi në Kosovë, me një orientim të tregut të lirë dhe konkurrencës së plotë, ku shteti krijon infrastrukturën ligjore dhe teknike për një funksionim normal të biznesit, duke i krijuar ambient të bërit biznes, rrjedhimisht tërheqjen e investitorëve të huaj. Pra, një biznes stabil dhe konkurrues ndikon në çmime konkurruese dhe paga më të larta e njëherësh është kontribuues në arkën e shtetit. Me këtë dua të theksoj që sado që kryeministri aktual me këto ide ka dashur të tregohet kreativ dhe populist, Kosova është e orientuar me ekonomi të lirë të tregut,” deklaroi ai.

Sipas tij, punëtorët e sektorit privat me pagë të rritur nga shteti do të bëheshin më dembelë, ndërsa bizneseve do t’iu ulej ambicia për konkurrueshmëri edhe pse nuk ka sqaruar saktësisht se pse një gjë e tillë do të ndodh.

Si pasojë e këtij vendimi, ai thekson se buxheti i shtetit të Kosovës do të ketë më pak të ardhura nga tatimet.

“…nëse do ta jetësojë këtë premtim, efekti do të jetë negativ për faktin që do të ndikojë në përtacinë e fuqisë punëtore e po ashtu edhe bizneset nuk do të kenë ambicie konkurruese dhe si rezultat do të kemi rënie të produktivitetit në punë, e e cila do të ndikojë edhe në shtet sepse do të kemi më pak tatime dhe taksa në arkën e shtetit.” – deklaroi z.Kadriaj për Periskopin.

Sipas njohësit të ekonomisë këto ide janë të mira, në të shkruar dhe në të thënë por aspak në praktikë, bazuar në përvojat e vendeve të cilat e kanë praktikuar atë.

“Pra këto ide janë të mira në të thënë dhe në të shkruar por aspak në të jetuar si ide, sepse këto ide janë provuar ne bllokun e Lindjes e sidomos në ish Shqipërinë Komuniste ku me këto ide mbeti vendi me i varfër në botë.” – shtoi më tej ai.

Sidoqoftë vlen të theksohet që në Shqipërinë Komuniste nuk ka ekzistuar fare sektori privat, gjë që e bën paksa të çuditshme deklaratën e z.Kadriaj në lidhje me rastin. /Periskopi/B.H/

NA NDIQ NË FACEBOOK