Connect with us

Lajme

Kurti pas vizitës në Shqipëri: Nuk mohoj arritjet e së shkuarës por jemi larg arritjeve që populli do dëshironte

Publikuar

me

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë që vizita e tij e parë si kryeministër jashtë Kosovës nuk ishte politikë e jashtme.

Përmes një postimi në Facebookk, ai ka falënderuar homologun nga Shqipëria Edi Rama për pritjen duke thënë që pritet bashkëpunim në fushën e ekonomisë dhe arsimit mes dy vendeve..

Kurti ka thënë se as Republika e Kosovës, por as ajo e Shqipërisë nuk e kanë luksin ta shohin njëra-tjetrën “në syzet e diplomacisë”.

Postimi i plotë:

Ishte vizita e parë si kryeministër jashtë Republikës së Kosovës, por nuk ishte politikë e jashtme. Ishte ceremoniale, por nuk ishte thjesht simbolike. Dy republikat tona nuk e kanë luksin ta shohin njëra-tjetrën me syzet e diplomacisë.

E falënderoj kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, për pritjen shtetërore e për diskutimin konstruktiv që patëm. Prej takimeve institucionale e marrëveshjeve mes Kosovës e Shqipërisë, jam i sigurt se shumë shpejt do të burojë një intensitet i ri bashkëpunimi ekonomik e arsimor, prandaj sot më shoqëruan në takim ministri i Financave, Besnik Bislimi, dhe ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami. Këto janë fusha ku afrimi i Shqipërisë me Kosovën nuk toleron asnjë vonesë e pengesë.

U dakorduam të krijojmë komisionin ndërshtetëror i cili i analizon ecurinë e 77 marrëveshjeve mes të dy vendeve tona dhe në fund të marsit, në Shkodër, kur të takohen dy Qeveritë tona të trajtojmë ecurinë e punës së deritashme e të përcaktojmë punën e re që duhet të bëjmë.

Takime të përzemërta e vëllazërore patëm edhe me presidentin, Ilir Metën, kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçin dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, të cilët më përcollën urime për detyrën e re, e unë u shpreha nevojën për ndihmë e mbështetje. Shqipëria është e gatshme të kontribuojë për Kosovën, e Kosova është plot entuziazëm për një bashkëpunim të tillë. Për çështjet e rëndësisë kombëtare na duhet të flasim njëzëri.

Dekada e tretë e shekullit XXI duhet të sjellë një fillim të fuqishëm, si asnjëherë më parë, të bashkëpunimit e bashkërendimit Kosovë-Shqipëri. Nuk mohoj arritjet e së shkuarës, por jemi larg asaj çka dëshiron populli ynë, larg asaj që është brenda mundësive tona reale. Dy vendet tona janë prioritet i njëra-tjetrës dhe nuk ka çështje që presin, në asnjë fushë.

SHPËRNDAJE ME MIQ!
Advertisement

MË TË LEXUARAT

Portali Zyrtare u themelua nga një grup gazetarësh të rinjë në vitin 2018. Të motivuar nga nevoja për lajme të shpejta dhe të vërteta, në Maqedoni, ndër shqiptarë dhe për shqiptarët – Zyrtare nuk ishte veçse një kërkesë e kohës. Kontakt e-mail: portali.zyrtare@gmail.com Shared By Fancy Text Generator

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com