Kosovë
Kryeministri prezanton strategjinë qesharake për punësimin e grave: Edhe 120 çerdhe më shumë

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka dhënë së fundi edhe një intervistë për gazetën zvicerane “Blick” në të cilin ka paraqitur prioritetet e qeverisë së tij.
Ai ka rimarrë strategjinë populiste të kryeministrit të mëparshëm, Ramush Haradinajt, për të hënë se nëse gjërat nuk do të shkonin siç duhej, ai me ekipin e tij do të punonin edhe në vikent dhe jashtë orareve të zakonta, përcjell Periskopi.
Kryeministri ka thënë se prioritetet qeveritare do të ishin të ndara në pesë shtylla. Të parën e ka përmendur Ekonominë, më pas Arsimin, Drejtësinë, Shëndetësinë dhe në fund Sigurinë.
Për dallim nga herët e kaluara, Kurti ka deklaruar se do t’i kushtojë prioritet arsimit, më specifikisht harmonizimit të tregut të punës me arsimin.
“Mbi 90 për qind e ndërmarrjeve nuk i kanë të punësuar mbi 10 punëtor që janë të kualifikuar. Kjo po iu kushton shumë atyre sepse po duhet të paguajnë punëtor që nuk janë të kualifikuar. Ne duhet të punojmë që të harmonizojmë tregun e punës me nevojat dhe kërkesat e ndërmarrjeve”- tha Kurti.
Më herët Kurti kishte deklaruar se arsimi nuk do të ishte prioritet, për shkak se në këtë fushë nuk mjaftonte një mandat për të bërë reformat e kërkuara.
Ndër tjerash, ai ka përmendur edhe rolin e diasporës në investimet eventuale që mund t’i bëjnë në Kosovë.
Më tej, Kurti ka thënë se do të përpiqej ta rriste numrin e grave në tregun e punës, por në këtë pikë për çudi ka përmendur vetëm një aspekt, dhe i cili për më tepër mund të llogaritej seksist.
“Do të bëjmë përpjekje tutje që të shtojmë numrin e çerdheve në Kosovë. Kështu, secila femër do të kishte më shumë mundësi të punonte. Kjo do të kontribuonte edhe në edukimin e brezave të ardhshëm. Aktualisht janë 33 çerdhe, ne do të përpiqemi që këtë numër ta bëjmë 150,” – tha ai.
Por, edhe nëse Kurti do të realizonte premtimin e tij për çerdhet publike, sërish shifra e punësimit të grave do të ishte alarmante. Aktualisht 80 për qind të grave mendohet se në tregun tonë të punës nuk kanë marrëdhënie pune./Periskopi


















