Connect with us

Lajme

Koronavirusi në Itali, reagon Ambasada e Shqipërisë: Asnjë shqiptar i prekur, të respektohen masat e shtetit italian

Publikuar

me

Përhapja e koronavirusit në disa vende të Italisë ka sjellë edhe reagimin e Ambasadës së Shqipërisë në Romë, e cila përmes një deklarate, ka bërë të ditur se deri më tani, asnjë shtetas me origjinë shqiptare nuk është prekur nga virusi.

Përtej lajmit, Ambasada shqiptare në Itali iu ka drejtuar shqiptarëve që jetojnë në Itali, që të marrin masat dhe të respektojnë urdhrat e dhëna nga autoritetet italiane.

Reagimi i plotë:

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Itali, dhe Konsullatat e Përgjithshme në Milano dhe në Bari po ndjekin me vëmendje situatën e emergjencës së krijuar nga përhapja e koronavirusit Covid19 në disa rajone të Italisë. Deri tani nuk kemi informacion për qytetarë shqiptarë të prekur. Informacioni mbi identitetin e të prekurve mbetet i rezervuar në bazë të normativës europiane për mbrojtjen e të dhënave personale.

Ambasada është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë tonë të Shëndetësisë dhe me Ministrinë e Shëndetësisë të Italisë si dhe me Departamentin e Emergjencave Civile të Këshillit të Ministrave të Italisë për masat e përbashkëta për parandalimin e përhapjes së virusit në territorin shqiptar.

U bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë në Itali dhe atyre që udhëtojnë për dhe nëpër Itali të respektojnë masat e urdhëruara nga autoritetet italiane në situatën e emergjencës.

Ambasada në Romë dhe Konsullatat e Përgjithshme në Milano dhe Bari vazhdojnë normalisht punën në shërbim të qytetarëve. Informime të mëtejshme do të vijojnë në vartësi të zhvillimit të situatës. Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Milano. Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Bari.

ZGJEDHJET PARLAMENTARE

MË TË LEXUARAT