Shëndetësi
Koronavirusi, Arben Vitia tregon për masat e ndërmarra

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia sot ka dalë para deputetëve të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi ku ka folur për masat e marra lidhur me koronavirusin, të cilat sipas tij janë në pajtim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
“Një nga detyrat e para ka qenë informimi i qytetarëve për mbrojtjen dhe rrezikun nga ky virus. Në uebfaqe të ministrisë janë publikuar informata. Masat e para janë marrë në Aeroportin e Prishtinës. Janë shpërndarë mbi 25 mijë fleta informuese. Edhe në pikat tjera kufitare janë udhëzuar që udhëtarët të pyeten se nga vijnë”.
Ai shtoi se ministria ka përgatitur edhe check-listat për kontrollimin e udhëtarëve të dyshuar me virus.
“Klinika Infektive ka përgatitur planin e veprimit për rastet e dyshimta dhe ka zhvilluar planin për menaxhimin e rasteve. Një nga repartet e kësaj klinike ka repartin e izolimit. Kemi kërkuar një fond shtesë prej 400 mijë eurove nga Qeveria”.
Sipas ministrit vendi është i gatshëm edhe për të organizuar karantinat nëse është e nevojshme, njofton Klan Kosova.





















