Kosovë
JAVA: Cili është qëndrimi i vetëm që u mbajt nga Kurti?

Në fillim të kësaj jave, Kosova u bë me qeveri pas gati katër muajsh pritjeje që nga zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar. Albin Kurti mori votat për t’u bërë kryeministër, ndërkohë që Vjosa Osmanit iu besua pozita e kryetares së Kuvendit.
Por, duket se ne nuk jetojmë në një realitet objektiv. Duket se u larguam nga ëndrra e Ramush Haradinajt dhe u rrasëm me përdhunë në ëndrrën e Albin Kurtit. Nëpërduken nëpër terr e nëpër fjalë plot copëra narcizizmi dhe ego tepër të shqetësuara.
Kurti mbajti ekspozenë e tij në Kuvendin e Kosovës e në të cilën shpalosi listën e dëshirave për katër vitet e ardhshme. E përkthyer në gjuhën e thjeshtë popullore, Kurti tha se “ne nuk do të korruptohemi, sepse ne nuk do të punojmë.” Ai premtoi që gjatë mandatit të tij qeverisës, ku nuk përfshihej asnjë projekt i kushtueshëm kapital, Kosova do të kishte një buxhet prej 3 vetëm miliardë eurosh.
Për ata që kishin vesh, kjo nënkuptonte se edhe premtimi i Kurtit ishte më i vogël se ajo që e kishin realizuar kryeministrat e mëhershëm. Plus, shto kësaj që Kurti premtoi edhe masa kursimore, ulje të shpenzimeve të luksit dhe sidomos nuk e premtoi asnjë projekt kapital miliardësh si qeveritë e kaluara.
Përqindja e rritjes së buxhetit nga Kurti, e kalkuluar nga Periskopi dilte më e ulët se e çdo qeverie të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë e këndej.
Sidoqoftë, në seancë Kurti u përball me një opozitë që i rikujtoi qëndrimet e mëhershme të cilat nuk po i mbante më.
Por, ashtu siç nuk kishte kurrfarë rëndësie as ekonomia e prezantuar përmes një plani qesharak, as buxheti me një premtim më të vogël se ajo që realizoi Haradinaj ta zëmë, nuk kishin rëndësi asnjë prej qëndrimeve politike të z.Kurti.
Këto bindje ishin thjesht për të përfituar më shumë e më shumë vota. Kjo u evidentua as me përcaktimin e saktë të numrit të ministrave. Nga 12 u bënë 15. Ndërkohë, nga 24 zëvendësministra sa ishin dikur, u bënë RRETH 30, e më pas RRETH 33 dhe në fund sërish rreth 35.
Madje, si duke parandjerë mos-suksesin e tij në qeverisje, tashmë edhe Kurti si kryeministrat e tjerë nisi të fajësonte shoqërinë tonë për korrupsionin. Në vend se të thoshte “do ta luftojë korrupsionin në institucione,” ai deklaroi se “do ta luftonte korrupsionin në shoqëri.”
Pikërisht gjatë kësaj jave, Policia e Kosovës kreu disa arrestime të rëndësishme ndaj zyrtarëve policorë që ishin zënë në flagrancë duke marrë ryshfet.
E po ashtu, kjo javë ishte e rëndësishme edhe për heqjen e taksës. Njeriu që kishte qenë kryesori në fushatën “Duaje Tënden” aq sa edhe kishin rrokullisur kamionë me mallra të importuara nga Serbia, tashmë po e hiqte tarifën prej 100 për qind ndaj këtyre mallrave.
Për një gjë të tillë, Kurti kishte marrë mbështetjen nga ShBA-të dhe nuk dihet nëse do të vendos reciprocitetin e plotë ndaj Serbisë, një masë që kjo që nëse do të vendosej siç është thënë, do të bënte që shtetet aleate të ishin të dyzuara mes respektimit të saj, e që do të nënkuptonte edhe njohje të pavarësisë së vendit, ose mosrespektimit të saj, dhe çnjohjen de fakto të vendit.
Por, a mund t’i besojmë Kurtit në këtë pikë?
E vetmja pikë në të cilën ai ruan besimin e qytetarëve është mos-korruptueshmëria. Por, mos të harrojmë, jemi ende në ditën e shtatë të qeverisjes së tij. /Periskopi






















