Connect with us

Kosovë

Flet si zëvendësministër Jusuf Thaçi: Jam person jopartiak, jap dorëheqje nga ATOMI

Publikuar

Jusuf Thaçi është emëruar së fundi nga Albin Kurti si zëvendësministër i ri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Thaçi kishte qenë një mbështetës fanatik i Lëvizjes Vetëvendosje dhe drejtuesit të saj, z.Kurti, e po ashtu kishte kontribuar më herët në shumë çështje që kishin të bënin me çështjet e arsimit.

Në fjalën e tij të parë si zv.ministër, Thaçi ka falënderuar Kurtin dhe ministren Hykmete Bajrami, e po ashtu ka premtuar se do të dorëhiqet nga pozita që mban në institutin ATOMI, shkruan Periskopi.

“Ashtu siç kam vepruar edhe në të kaluarën kur kam marrë detyra publike që lidhen me arsimin, edhe kësaj radhe do të vazhdoj të mbetem person jopartiak, që e ruan pavarësinë dhe integritetin personal e profesional, i udhëhequr vetëm nga kriteret e standardet më të larta profesionale dhe transparenca radikale, i përkushtuar maksimalisht që me gjithë dijen e dashurinë për fushën dhe me gjithë kapacitetin intelektual e energjinë fizike t’i kontribuoj përmirësimit të gjendjes së arsimit në Kosovë.” – shkruan z.Thaçi.

Ai më herët kishte qenë edhe Drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës.

Më poshtë e keni statusin e plotë të tij në Facebook:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

 

Sot e kam pranuar detyrën e Zëvendësministrit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI). Për këtë e falënderoj Kryeministrin Kurti për besimin e dhënë dhe Ministren Bajrami për bashkëpunimin e ofruar!

 

Ashtu siç kam vepruar edhe në të kaluarën kur kam marrë detyra publike që lidhen me arsimin, edhe kësaj radhe do të vazhdoj të mbetem person jopartiak, që e ruan pavarësinë dhe integritetin personal e profesional, i udhëhequr vetëm nga kriteret e standardet më të larta profesionale dhe transparenca radikale, i përkushtuar maksimalisht që me gjithë dijen e dashurinë për fushën dhe me gjithë kapacitetin intelektual e energjinë fizike t’i kontribuoj përmirësimit të gjendjes së arsimit në Kosovë.

 

Do të kryej me përkushtim dhe profesionalizëm çdo detyrë e përgjegjësi që më delegohet e ngarkohet nga Ministrja Bajrami, për cilëndo fushë a nivel të arsimit. Sigurisht, ashtu siç më dikton edhe përvoja profesionale mbi njëdekadëshe në sektorin e shoqërisë civile, por edhe në sektorin publik e privat, si dhe në përputhje me vizionin personal për të ardhmen e vendit dhe të shoqërisë, do të vazhdoj të jem përkrahës dhe avokat i madh i ideve dhe projekteve që kanë të bëjnë me promovimin dhe përkrahjen e teknologjisë, inovacionit dhe të rinjve me potencial të jashtëzakonshëm intelektual, me dhunti e talente, si e ardhmja më e mirë dhe pasuria më e paçmueshme e vendit dhe e shoqërisë sonë.

Premtoj se do të angazhohem maksimalisht për përmirësimin e arsimit në Kosovë, me shpresë që ditën kur do të largohem nga kjo pozitë ta lë arsimin sadopak më mirë se ç’e kam gjetur ditën kur e kam pranuar këtë pozitë!

Me respekt,

Jusuf Thaçi

Prishtinë, më

13 shkurt 2020

P.S.: Në mënyrë që të mos ketë kurrfarë konflikti interesi dhe të mos cenohet reputacioni i organizatës ku kam punuar deri më sot, me rastin e pranimit të detyrës së zëvendësministrit kam dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat dhe funksionet në Institutin ATOMI. Brenda muajit do t’i kaloj të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë te stafi përkatës.

NA NDIQ NË FACEBOOK