Connect with us

Kosovë

“Asfalti i Drenicës” dhe drenicaku i “A bon me folë” pjesë e filmit që mori çmimin kryesor Oscar

Publikuar

me

Filmi që mori çmimin kryesor [Best Picture/Fotografia më e mirë] në ndarjen e Çmimeve Oscars thirret “Parasite” dhe ka shumë mesazhe për vendin tonë, Kosovën, për “asfaltin e Drenicës”, për “A bon me fole” e për “votimin e votës”.

Ky film tematizon ndër tjerash ndarjen e tmerrshme klasore dhe sfidon moralin që i gjykon si të korruptuar njerëzit e klasës së varfër.

Një familje e varfër arrin të depërtojë në jetën e një familjeje të pasur, duke marrë pozicionet e shërbëtorëve në shtëpi përmes hileve që bëjnë ndaj shërbëtorëve tjerë të kësaj familjeje dhe ndaj vetë pronarëve.

Është një luftë e paevitueshme mes të varfërve kundër të varfërve, përmes një vrime të vetme depërtimi në një hapësirë tepër të ngushtë mundësish pune.

Në fillim, familja Kim – me babain Ki-taek, nënën Chung-sook, çikën Ki-jeong dhe djalin Ki-woo – jeton në një banesë të vogël në katin përdhese që është e mykur nga lagështia dhe e rrezikuar nga përmbytjet e shkaktuara nga kriza klimatike. Të gjithë anëtarët e familjes kryejnë punë të përkohshme që paguhen keq dhe nuk mund t’i mëshojnë shkelm varfërisë.

Familja e varfër në fjalë është e korruptuar në bazë të një morali tradicional, por pikërisht ky moral tradicional sfidohet nga regjisori më i mirë i vitit Bong Joon-ho.

Ai e përshkroi filmin e tij si “një komedi pa kllaunë, dhe një tragjedi pa shejtanë.”

Në bazë të një morali të tillë tradicional e klasor, në Kosovë në dy dekadat e fundit ishin ndjellë paragjykime të ndryshme raciste, kryesisht ndaj qytetarëve nga rajoni i Drenicës.

Gjatë periudhës së Jugosllavisë komuniste, banorët e Drenicës kishin qenë ndër më të shtypurit në Kosovë duke vuajtur kushte të tmerrshme ekonomike, shëndetësore dhe arsimim më jocilësor se në vendet e tjera.

Por, në periudhën e pasluftës për shkak se lideri kryesor i krahut të luftës, Hashim Thaçi, bashkë me disa të tjerë kishin prejardhje nga ky rajon, u krijuan pikërisht paragjykime të tilla raciste e klasore ndaj këtij rajoni.

Në bazë të moralit tradicional, besohej që Drenica kishte arritur të depërtonte në institucionet e vendit pikërisht si familja Kim, duke i mundësuar njëri-tjetrit rrugëdaljen drejt pozitave të mira sociale e shtetërore.

Madje, për kohë të gjatë ishte përmendur me tallje e pa tallje edhe asfalti si një produkt që ishte derdhur pa kursim në rrugët rurale të këtij rajoni. Me fjalë të tjera, shoqëria paragjykonte se për shkak të liderit nga Drenica, edhe buxheti ishte shpërndarë kryesisht në rajonin në fjalë.

Racizmin në fjalë e çoi në kulm emisioni Interaktiv në televizionin nacional KTV përmes dy kronikash që u  bënë virale, pikërisht për shkak të racizmit të theksuar.

Një qytetar nga Drenica shihej duke festuar fitoren e PDK-së, që bastionin e saj vazhdon ta ketë në Drenicë, ndërsa i kërkonte fjalën gazetarit me pyetjen “A bon me folë?” Natyrisht, pyetja në fjalë nuk kishte asgjë të keqe, madje ishte gjest i sjellshëm, por ajo që nguci sensin racist e klasor të njerëzve ishte theksi i qytetarit në fjalë. Njësoj, pasaniku i “Parasite” neveritet nga era që mbajnë teshat e babait të familjes së varfër Ki-taek, e më pas edhe nga teshat e një varfanjaku që po strehohej në bodrumin e tij të padukshëm, gjë që çon drejt irritimit klasor nga ana e Ki-taek që i ngul thikën me frustrim.

Qytetari nga Drenica ka raportuar se ka qenë viktimë e një abuzimi të tmerrshëm në rrjetet sociale të Internetit.

Pastaj në një video tjetër tallëse me rajonin në fjalë, një tjetër qytetar nga Drenica përqeshej për theksin dhe për fjalët e ngatërruara të tij. Edhe fjalët e tij u bënë virale “E kanë qitë votën, e kanë votu votën.” – kishte deklaruar ai duke shprehur frustrimin me parregullsitë që po ndodhnin në një qendër votimi. Qytetari në fjalë për shkak të abuzimeve masive kishte vendosur para disa muajsh që të ikte nga Kosova.

Në të njëjtën video, qytetarë të tjerë kosovarë ishin xhiruar të dehur e në pozita të palakmueshme duke e rritur kësisoj paragjykimin racist ndaj rajonit në fjalë.

Së fundi, ndërkohë, është votuar një qeveri e re me kryetar Albin Kurtin dhe duket se kjo ka nxitur një tjetër tallje ndaj rajonit në fjalë me nisjen e një fushate #Drexit, për shkëputjen e Drenicës nga Kosova. Sidoqoftë, Kurti kishte vendosur që si shef të grupit parlamentar ta emëronte pikërisht një qytetar nga Drenica, z.Rexhep Selimi.

Sipas Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare për vitin 2017, dy qytetet që përbëjnë Drenicën, Skënderaji dhe Drenasi dalin të jenë ndër më të varfrat në Kosovë. /Periskopi

SHPËRNDAJE ME MIQ!
Advertisement

MË TË LEXUARAT

Portali Zyrtare u themelua nga një grup gazetarësh të rinjë në vitin 2018. Të motivuar nga nevoja për lajme të shpejta dhe të vërteta, në Maqedoni, ndër shqiptarë dhe për shqiptarët – Zyrtare nuk ishte veçse një kërkesë e kohës. Kontakt e-mail: portali.zyrtare@gmail.com Shared By Fancy Text Generator

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com