Connect with us

Lajme

Analistët e arsyetojnë një koalicion të mundshëm LSDM – Lëvizja BESA

Published

on

Shumë dilema dhe pikëpyetje lindin pas njoftimit se është e mundur që për herë të parë në Maqedoninë Plurale të arrihet një koalicion parazgjedhor midis partive të bllokut maqedonas dhe bllokut shqiptar për zgjedhjet parlamentare të caktuara për më 12 prill.

Edhe pse LSDM, PDSH dhe Lëvizja Besa po i dërgojnë zëra njëra-tjetrës se janë të hapur për bashkëpunimin parazgjedhor, ende nuk është e sigurt koalicioni midis këtyre tre partive, përfshirë edhe partnerët e koalicionit të LSDM-së.

Fillimisht si LSDM-ja, ashtu edhe PDSH-ja dhe Lëvizja Besa, përveç vullnetit për bashkëpunim të mundshëm, janë mjaft të përmbajtur në vlerësimet e rezultatit, të paktën siç thonë ata, derisa të takohen dhe të vendosin ofertën e koalicionit të mundshëm në tavolinë.

Takimet mes Zaevit dhe Kasamit dhe Zaevit dhe Thaçit pritet që të realizohen diku nga fundi i kësaj jave ose në fillim të javës tjetër. Tre liderët Zaev, Kasami dhe Thaçi tashmë kanë deklaruar se janë të gatshëm për bashkëpunim reciprok.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev nuk e ka hedhur mundësinë që LSDM të shkon në koalicion me Lëvizjen BESA dhe kjo sipas Zaev do të jetë koalicioni më i madh që është realizuar ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut.

Analisti politik, Ismet Ramadani për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal thotë se koalicionet e LSDM-së së Zaevit me partitë shqiptare janë të mundshme dhe ato mund të jenë edhe të arsyeshme, andaj sipas tij një koalicion LSDM-BESA do të kishte impakt pozitiv.

“Sa i përket konceptit, opsionit euroatlantik LSDM-ja e Zaevit nuk ka kurfar problemi të koalicionoj me partitë shqiptare sepse ato edhe ashtu sa i përket integrimeve euroatlantike asnjëherë skanë pasur rezervë dhe gjithnjë kanë dhënë dhe japin kontributin. Sa i përket interesave partiake me LSDM-në mund të ketë një rezervë për shkak se mund të targetojnë edhe më tutje votues të cilët i kanë votuar edhe në zgjedhjet e kaluara dhe do të tenton LSDM-ja që të mbanë këtë numër të votuesve shqiptarë dhe ndoshta me ambicie për ta rritur atë numër. Nëse ndodhë koalicioni atëherë votat e LSDM-së dhe votat e Lëvizjes BESA do jenë vota të cilat nuk do të mund të identifikohen deri në fund, pra se sa janë të Lëvizjes BESA e sa janë të LSDM-së. Dhe kështu në këtë drejtim interesi partiak mund të cënohen edhe nga njëra edhe nga tjetra parti, mirëpo interesi i përgjithshëm në aspektin e kohezionit shoqëroro politik të Maqedonisë sa i përket edhe raporteve ndëretnike dhe raporteve tjera pra, ka një impakt pozitiv”, ka deklaruar për Zhurnal, analisti politik, Ismet Ramadani.

Nga ana tjetër, politologu Abdylvehab Ejupi për Zhurnal thotë se sa i përket koalicioneve parazgjedhore në Maqedoni, pasi u bë me sukses koalicioni Alternativa – Alenca për Shqiptaret, Besa e gjendur “vetëm” natyrshëm do të kërkon mbijetesën e saj, dhe sipas tij kushdo që do t’i premton këtë mbijetesë me atë do të shkon.

Ai thotë se koalicioni me LSDM-në është më i sofistikuar dhe më joshës për ata.

“Këtu ka vetëm dy opcione, koalicioni me BDI dhe LSDM. Me BDI do të ishte në opcione real koalicioni pasi kanë një bashkëpunim të shkëlqyer në komunat e Cairit dh e Tetovës në këshillat komunal, por problem këtu është që shpejt do të demaskohen dhe loja aty do të mbrojë. Varianti më LSDM duket më “i sofistikuar” dhe me joshës ndoshta pasi mund t’ia garanton jetëgjatësine politike duke përfshirë në listat e saja 2-3 deputet. Dalja vetëm është njëfarë vetëvrasje që së bashku me PDSH e RDK në këto zgjedhje do ti thoni lamtumirë skenës politike”, ka deklaruar për Zhurnal, Abdylvehab Ejupi, Politolog.

Ndryshe, edhe Kasami kishte thënë më herët se është i gatshëm për një koalicion me LSDM-në dhe nëse ka ofertë të mirë edhe mund të pranohet. Thaçi, ndërkohë, ka thënë se është i gatshëm për një koalicion parazgjedhor me LSDM-në, por me kushtin që BDl të mos jetë pjesë e qeverisë së re dhe se ai të bëhet zv/kryeministër.

Sidoqoftë, në koalicionin eventual maqedonaso-shqiptar, palët tashmë po shqyrtojnë atë që do të fitojnë ose humbasin nga një marrëveshje e tillë. LSDM-ja është e qartë se ata nuk po flasin për kushtëzim dhe linja të kuqe dhe se do të ketë marrëveshje nëse ata udhëhiqen nga interesat e përbashkëta dhe harmonizohen programatikisht.

Nuk është hera e parë në skenën politike maqedonase që të bëhet një përpjekje për bashkëpunim parazgjedhor midis partive nga blloket politike maqedonase dhe shqiptare. Një përpjekje e pasuksesshme për një bashkëpunim të tillë u tentua në vitin 2006, kur në atë kohë udhëheqësi i LSDM-së, Vlado Buçkovski i ofroi kryetarit të BDl, Ali Ahmetit, bashkëpunimin parazgjedhor për zgjedhjet parlamentare. Bashkëpunimi u hodh poshtë nga Ahmeti me arsyetimin se ishte shumë herët dhe se disa gjëra nuk duhen nxituar të bëhet para se të piqen rrethanat në vend.

Praktika ka treguar që partitë në të dy kampuset kanë më shumë të ngjarë të bien dakord kur bëhet fjalë për zgjedhjet lokale ose presidenciale. LSDM dhe BDI në zgjedhjet lokale të vitit 2017 shkuan me disa kandidatë të përbashkët për kryetar komunash. Partnerët qeveritarë në zgjedhjet presidenciale vitin e kaluar dolën bashkarisht me Stevo Pendarovski si një kandidat i përbashkët për kreun e shtetit.

NA NDIQ NË FACEBOOK