Kosovë
Abelard Tahiri, Albin Kurtit: Ku është programi? Ku është programi? Ku është programi?

Ish ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka kritikuar sërish kryeministrin e Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti për mos-ofrimin e programit të tij qeverisës edhe një javë pas marrjes së detyrës së tij.
Në fakt, z.Kurti e kishte prezantuar programin e tij por në pika shumë të trasha duke lexuar marrëveshjen për bashkëqeverisjen që e kishte formuar bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, shkruan Periskopi.
Ai kritikon Kurtin edhe për mos-mbajtjen e asnjë mbledhjeje të kabinetit qeveritar pasi sot vizitoi Shqipërinë për të parën herë në detyrën e kryeministrit.
“Prioritet i Kryeministrit sot nuk ishte takimi me kabinetin e tij, për të përcaktuar detyrat themelore, e as ofrimi i programit që do të shërbente për të njohur orientimin politik, ekonomik e social ndaj temave kryesore e zhvillimore të vendit, por një vizitë në Shqipëri.” – shkruan z.Tahiri.
Tahiri e kishte kërkuar programin edhe më herët në mënyrë të përsëritur, nëpër emisione televizive e në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Ai e quan shqetësuese dhe të çuditshme sjelljen e z.Kurtit, ndërkohë që nuk ishte edhe aq i shqetësuar e i çuditur nga qeverisja që bënte z.Haradinaj.
Më poshtë e keni statusin e plotë të tij në Facebook:
Është e çuditshme dhe e paprecedent se si Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, edhe pas një jave të formimit të saj, ende nuk e ka mbajtur mbledhjen e parë dhe ende nuk e ka shpalosur para qytetarëve programin qeverisës. Në vend të kësaj, Kryeministri ka zgjedhur ta bëjë një vizitë jashtë vendit.
Ky fakt është tregues i qartë se kemi të bëjmë me një politikan të paaftë për ta kuptuar dhe administruar me ekzekutivin.
Prioritet i Kryeministrit sot nuk ishte takimi me kabinetin e tij, për të përcaktuar detyrat themelore, e as ofrimi i programit që do të shërbente për të njohur orientimin politik, ekonomik e social ndaj temave kryesore e zhvillimore të vendit, por një vizitë në Shqipëri.
Por, kjo vizitë e tij, përderisa ende nuk ka ushtruar as funksionin themelor të Kryeministrit, është një paralajmërim tipik i stilit të tij politik të papërgjegjësisë dhe mashtrimit, të cilin ai përpiqet të na e shesë si punë të rëndomtë të një Kryeministri.
Është shqetësuese sjellja e papërgjegjshme e Kurtit karshi pritjeve të qytetarëve, që me të drejtë kërkojnë ta dinë agjendën e prioriteteve për Kosovën.




















