Kosovë
Kurti: Demaçi ishte i gjithkujt përveç i vetes së tij

Me rastin e 12-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, liderët e shtetit kanë bërë homazhe te varri i veprimtari i çështjes kombëtare Adem Demaçi.
Ata me këtë rast vlerësuan lart sakrificën e Demaçit për shtetin e Kosovës dhe çështjen kombëtare.
Kryeministri Albin Kurti tha se Adem Demaçi si intelektual, shkrimtar dhe i burgosur politik ishte frymëzim e inspirim i brezave të tërë.
“Si shkrimtar dhe intelektual i ri, si i burgosuri politik, me vuajtjet më të gjata Adem Demaçi frymëzoi dhe inspiroi breza të tërë të veprimtarëve dhe luftëtarëve si askush tjetër. Në 12-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ne përulemi para jetës, veprës dhe luftës së tij, të cilat ai asnjëherë nuk i ndau nga njëra-tjetra, pra ishte i gjithkujt, përveç i vetes s ë tij, dhe të gjithë ne i kemi aq shumë borxh”, tha Kurti.
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka folur për jetën dhe veprën e veprimtarit Adem Demaçi në luftën kundër regjimit serb.
“Ne, sot nderojmë Adem Demaçin një prej veprimtarëve simbol të çështjes shqiptare që luftoi nëpërmjet sakrificës së tij okupimin dhe regjimin serb për vite me radhë. Ai dëshmoi se si liria individuale sakrifikohet në të mirë kolektive. Ai e vendosi lirinë e popullit të tij para çdo lirie dhe interesi tjetër. Ne e nderojmë sot atë siç i nderojmë të gjithë veprimtarët shqiptarë, të cilët rezistuan duke sakrifikuar veten dhe nuk u dorëzuan kurrë para një regjimi që kishte për qëllim të shkatërrojë përfundimisht popullin tonë”, tha Osmani.
Veprimtari i çështjes shqiptare Adem Demaçi ndërroi jetë më 26 korrik 2018, në moshën 82-vjeçare.
Në nëntor të vitit 1958 Demaçi u arrestua në Prishtinë nga qeveria autoritare e ish-Jugosllavisë. Qëndroi tri vjet në burg. Ai u burgos përsëri në vitet 1964-1974 dhe 1975-1990. Nga burgu u lirua pas rënies së Jugosllavisë në vitin 1990.
Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin “Saharov”. Gjatë periudhës 1998/99, ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Po ashtu, ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). Në vitin 2010, u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”. Vitet e fundit të jetës i kaloi në Prishtinë.






















