Sport
Xhaka nuk gjen qetësi, sherr me shokun e skuadrës për një pasim

Ditët e qetësisë për Granit Xhakën duket se nuk janë rikthyer edhe pas largimit të Unai Emerisë nga stoli.
“The Sun” raporton se ish-kapiteni i Arsenalit dhe shoku i tij i skuadrës, Rob Hollding, kanë pasur një debat në fushë gjatë ndeshjes së Kupës FA kundër Lidsit dhe është dashur ndërhyrja e shokëve për t’i ndarë.
Mbrojtësi i cili luante ndeshjen e tij të parë pas rikthimit nga dëmtimi, u zemërua me mesfushorin e kombëtares zvicerane që nuk iu afrua për të marrë topin gjatë një tentative pasimi.
Kjo solli humbjen e sferës nga skuadra e Artetës gjatë 45 minutave të para me të vërtetë të dobëta ndaj ekipit të Championship-it në raundin e 1/32-tave mbrëmjen e së hënës. Por, Xhaka nuk e priti mirë ankesën e shokut të skuadrës dhe shkoi të konfrontohej me të.
Përplasjes i dhanë fund portieri Martinez dhe mbrojtësi Sokratis, të cilët ndërhynë mes tyre. Një moment i tillë nuk u shpëtoi tifozëve të Arsenalit që e postuan në rrjetet sociale për të treguar edhe një herë situatën e tensionuar brenda dhomës së zhveshjes. Vitin e shkuar Xhakës iu hoq edhe shiriti i kapitenit pas përplasjes që pati me tifozët. Ai u vërshëllye në momentin e zëvendësimit gjatë derbit me Kristal Palasin në nëntor./panoramasport/






















