Connect with us

Sport

Viti 2019 – progresi i Superligës së Kosovës

Publikuar

Rritja e cilësisë, profesionalizmit dhe gara e ashpër për titull apo për mbijetesë, kanë qenë disa nga karakteristikat që e kanë bërë më interesante dhe joshëse Superligën e Kosovës në futboll.

Kampioni i edicionit 2018/2019 u mor vesh tek në ndeshjen e fundit, aty ku në derbin Feronikeli – Prishtina triumfuan vendasit me rezultat 1:0 – njëherish ky ishte titulli i tretë në historinë e ekipit nga Drenasi.

Feronikeli e përfundoi stinorin me 80 pikë, ndjekur nga Prishtina me 75 – ekipet e vetme që gjithashtu përfaqësuan Kosovën në garat evropian (kualifikimet në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës).

Kastriot Rexha i kampionëve aktual e përfundoi sezonin me 21 gola – duke fituar ‘Këpucën e Artë’.

Kek-U dhe Liria u përshëndetën nga Superliga, teksa Gjilani e Trepça ’89 siguruan mbijetesën falë barazhit.

Feronikeli gjithashtu triumfoi edhe në Kupën e Kosovës, duke deklasuar Trepçën ’89 me rezultat 5:1. Ekipi që tash drejtohet nga Agim Sopi nuk pati nevojë të luante Superkupën, kësisoj kompletuan tripletën vendore.
‘Tigrat e Zi’ lanë shenja edhe në arenën ndërkombëtare, duke u kualifikuar në turin para-eliminator në Ligën e Kampionëve – duke eliminuar fillimisht Lincoln Red Imps e më pas në finale Santa Coloma.

Aventurës së tyre në Evropë i erdhi fundi në raundin e parë kualifikues, ku u mposhtën në ndeshjen e dyte nga TNS 0:1, anipse ndeshja e parë në Uells kishe përfunduar baras 2:2.

Në anën tjetër, Prishtina përshkoi ‘udhë të shkurtër’ në Evropë, duke u eliminuar nga ekipi amator i Gjibraltarit, St Joseph. Eliminimi në Ligën e Evropës dhe mosarritja e objektivit, bën që kryeqytetasit të shkarkonin trajnerin Mirel Josa.

Edicioni i ri po del të jetë edhe më interesant se sa i kaluari. Ky sezon duket se do të jetë i befasive të mëdha.

Pas përfundimit të stinorit vjeshtor, Ballkani në krye me Ismet Munishin dhe blerjet e duhura gjatë verës kanë bërë që suharekasit të mbajnë pozitën e parë me 34 pikë. Padyshim, treshja ofanzive Arbër Hoxha, Jetmir Topalli dhe Blendi Baftiu janë arma kryesore e ‘Portokallinjve’ drejt ëndrrës për titullin kampion.

Befasia tjetër është Gjilani, që mban pozitën e dytë me 32 pikë. Gjilanasit sezonin e kaluar mbetet në Superligë falë barazhit, por si duket falë disa transferimeve të qëlluara gjatë verës, ata tani janë në luftën për titull.

Drita (31), Prishtina (31) dhe Feronikeli (27) janë ekipet tjera që stinorin pranveror mund të futen në garën për titull.

Drenica (24), KF Llapi (24), Trepça ’89 (23), Flamurtari (19), Ferizaj (18), Vushtrria (15) dhe Dukagjini (8) do tentojnë të sigurojnë mbetjen në elitë sezonin e ardhshëm.

Sa i përket Kupës këtë term, në çerekfinale do të takohen Drenica – Gjilan, Dukagjini – Ballkani, Liria – Feronikeli dhe Prishtina – Vushtrria. /LAJMI.NET/

NA NDIQ NË FACEBOOK