Kosovë
Veton Surroi vetë-propozohet si president i Kosovës te LDK-VV

Qytetarët e Kosovës e dëbuan Veton Surroin nga skena politike kosovare në nëntorin e vitit 2007 kur partisë së tij, ORA-s, nuk i dhanë vota të mjaftueshme për të kaluar pragun zgjedhor prej 5 për qind. Një dëbim i dhimbshëm e traumatik për multi-milionerin publicist që prej asaj kohe e ka rritur etjen për pushtet.
Multi-milioneri ka përdorur madje edhe grupin e tij medial për të promovuar veten, një herë dëshirën për president e kur kjo i dukej shumë e madhe për t’u arritur, edhe atë për ministri të Punëve të Jashtme. E gjithë kjo, edhe pas shuarjes së partisë ORA që nuk u votua nga qytetarët e Kosovës dhe u përzu nga jeta parlamentare kosovare.
Por z.Surroi tashmë ka guxuar të përzihet brenda koalicionit potencial mes LDK-së dhe VV-së, e të cilave iu shpjegon se çka të bëjnë për pozitën e presidentit.
Kujtojmë se kjo pozitë nuk po ndan dy partitë nga koalicioni i paarritur aktualisht, pasi që edhe sipas deklaratave publike të të dyja palëve të zyrtarëve, pengesë është bërë pozita e kryetarit të Kuvendit.
E megjithatë, Surroi merret me pozitën e presidentit – duke iu shpjeguar partive se çka duhet të bëjnë për këtë çështje:
“LVV dhe LDK mund t’u rikthehen negociatave për koalicion prej një këndi tjetër, atij të zgjedhjes së Presidentit/es.” – shkruan Surroi, duke harruar që qytetarët e Kosovës e njohin mirë ambicien e tij jolegjitime për president.
Ai thotë se presidenti nuk i përket asnjë partie politike dhe “andaj zgjedhja e Presidentit/es duhet të jetë pjesë e së paku dy rrathëve të ndërtimit të konsensusit: një brenda koalicionit qeverisës dhe një tjetri me opozitën.
Më poshtë e keni statusin e plotë të tij:
Kjo çështje qe një prej pengesave të mëdha dhe konstante për arritjen e marrëveshjes por nuk ka nevojë të jetë e tillë. Në mënyrë që të zgjidhet , do marrë në konsideratë këto pika:
• Koalicioni LVV-LDK duhet ta ketë të formalizuar zgjidhjen për çështjen e Presidentit/es , në mënyrë që kjo çështje të mos shtrohet si pengesë e funksionimit të Koalicionit kur të vijë koha e zgjedhjes e Presidentit/es
• Sipas Kushtetutës dhe vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti/ja nuk i “përket” asnjë partie politike, andaj zgjedhja e Presidentit/es duhet të jetë pjesë e së paku dy rrathëve të ndërtimit të koncensusit: një brenda koalicionit qeverisës dhe një tjetri me opozitën.
• Pjesë e Marrëveshjes së Koalicionit mes LVV-LDK nuk duhet të jetë as emri i kandidatit/es e as përkatësia e tij/saj partiake , por procedura me të cilën partitë nënshkruese të Koalicionit do ta propozojnë kandidatin/en që mund të ketë pëlqimin edhe të partive që nuk janë pjesë të koalicionit në pushtet.
Nëse LVV dhe LDK arrijnë një pajtim për procedurën e ndërtimit të koncensusit për Presidentin/en, atëbotë do të forcojnë idenë e balansit të pushtetit nëpërmjet bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë.
Njëherë e zgjidhur kjo çështje, mund t’u rikthehen çështjeve të mbetura, të pakta dhe që të gjitha të zgjidhshme.






















