Kosovë
Vendimi i gjykatës për rastin ‘Pronto’ nxit reagime, konsiderohet ‘drejtësi e kapur’

Gjykata e Prishtinës sot shpalli aktgjykimin ku i liroi nga akuza të gjithë, 11 të akuzuarit në rastin e njohur si ‘Pronto’.
Gjykata ka gjetur se nuk ka prova se të akuzuarit gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011, kanë komunikuar me zyrtarë të lartë për caktimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve në pozitën e kryeshefave ekzekutiv në bordet e drejtorëve në ndërmarrjet publike, ‘’Trainkos’’, ‘’Infrakos’’, ‘’Hidro-Drini’’, ‘’Radoniqi-Dukagjini’’, shkruan Periskopi.
Sipas akgjykimit të shpallur sot, gjykata ka konstatuar se nuk ka prova se të akuzuarit Adem Grabovci, Besim Beqaj Zenun Pajazitaj dhe të tjerët, kanë kryer veprën penale shkelja e statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës.
Avokati Besnik Berisha i cili mbron ish-ministrin Besim Beqaj ka thënë se ky proces ka dëshmuar që Prokuroria është e ngulfatur.
“Ishte një epilog i paralajmëruar dhe një gjykim që filloj si rezultat e një presioni publik dhe u zhvillua nga një prokurori e dështuar. Në qoftë se Gjykata nuk e arsyeton gjykimin mundësitë janë për rigjykim, por kujtoj që kushdo gjykatë qe ka interesin publik s’besoj se nuk do të luaj pingpong këtë lëndë sepse nga dita kur është publikuar aktakuza edhe këta vet e kanë ditë se janë ngutur dhe kanë bë ndjekje selektive dhe epilogu mund të vonojë, por prapë do të jetë i njëjti”, tha ai. “Nocioni “Pronto” nuk ka qenë i përdorur nga asnjëri nga këta që ishin pjesë e gjykimit njëkohësisht diskutimet tjera qe ishin lidhur me eprorët e asaj kohë të Kuvendit. Prokuroria s’ka pasë guxim as si dëshmitar me i ftu dhe kjo prokurori mund të quhet e dështuar si shumë raste tjera”, përfundoi Berisha.
Në anën tjetër, menjëherë pas vendimit të gjykatës kanë reaguar edhe deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu e cila është njohëse e mirë e ligjeve të vendit, ka thënë se kjo është goditje për shtetin e së drejtës. Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka akuzuar trupin gjykues se ‘u dha të drejtë abuzuesve’, shkruan Periskopi.
‘’Aktgjykimi lirues për të akuzuarit e aferës Pronto është goditje e rëndë për shtetin e së drejtës. Gjykata sot, i dha të drejtë atyre që ia kanë mbytur shpresën rinisë dhe qytetarëve të Kosovës me veprime kriminale me qëllim të kapjes së shtetit. Trupi gjykues i dha të drejtë abuzuesve. Çfarë prova i janë dashur trupit gjykues, kur të gjithë me veshët tanë i kemi dëgjuar abuzuesit?! Aktgjykimi i sotëm është vula e shtetit të kapur. Është aktgjykim që thërret për angazhim deri në çkapjen e shtetit andaj nuk ka kohë për të humbur sepse është nevojë urgjente krijimi i Qeverisë së re’’, tha Haxhiu.
Edhe bashkëpartiaku i saj, deputeti Mefail Bajqinovci ka reaguar duke thënë se lirimi i të akuzuarve tregon për kapjen e shtetit nga PDK-ja.
“ Këtij shteti i duhet urgjentisht ligji i vettingut që të spastrohen gjykatat nga gjykatës të cilët marrin vendime arbitrare. Çfarë prova tjera duhet Grabovci and Co të dënohen. Turp!!!”, ka shkruar ai.
Edhe prokurorja Speciale Drita Hajdari e cila ka ngritur aktakuzën ndaj 11 të përfshirëve në rastin ‘Pronto’ është shprehur e zhgënjyer me vendimin e sotëm të Gjykatës. “Jam tepër e zhgënjyer me vendimin lirues. Kryetari i trupit gjykues është dashtë së paku me dhënë arsyetim për një vendimin të tillë, sepse ligji e obligon që ta sqarojë shkurtimisht vendimin”, ka thënë prokurorja Hajdari për kallxo.com.
Gjykimi në rastin e njohur si “Pronto” përfundoi me 12 seanca gjyqësore, pas 455 ditësh, ose 1 viti e 2 muaj e 29 ditë, pas ngritjes së aktakuzës./Periskopi/


















