Lajme
Veliaj: Në 100-vjetorin e Tiranës nisim projektet e Teatrit, zgjatjen e Lanës, bashkinë e re dhe Parkun Qendror

“>100-vjetori i shpalljes së Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë do të shënojë nisjen e disa prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore, që do t’i japin formë qytetit të së ardhmes. Nga Universiteti i Kembrixhit në Londër, ku ishte i ftuar për të prezantuar transformimin që ka pësuar Tirana vitet e fundit, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se shumë shpejt do të nisë puna për një sërë projektesh si Teatri i Ri Kombëtar, zgjatja e lumit të Lanës, Parku i Qendror në Bulevardin e Ri etj.
Teksa theksoi se shumë prej këtyre projekteve kërkojnë guxim, Veliaj siguroi se Tirana nuk do të ndalet në rrugëtimin e saj drejt zhvillimit. Ai nënvizoi se falë projektit të rindërtimit, do të lindë edhe qyteti i 100 viteve të ardhshme. “Sigurisht, shumë prej projekteve kërkojnë guxim, kërkojnë shumë debat, por në finale duhet të marrim vendimin që Tirana të ecë përpara. Disa nga vendimet e rëndësishme lidhen me vendimet e qeverisë dhe kryeministrit për ndërtimin e lagjeve të reja në Tiranë; disa nga kompanitë, skuadrat e arkitektëve edhe universitetet e ndryshme që janë përfshirë në projektet e rindërtimit ishin këtu për të treguar sesi kriza mund të jetë edhe një mundësi. Pra, nga rrënojat mund të lindë edhe diçka e re, një qytet i 100 viteve të ardhshme”, tha Veliaj.
Ai deklaroi se Bashkia e Tiranës do të nisë edhe një bashkëpunim të veçantë me Universitetin e Kembrixhit. “Ishte një kënaqësi e veçantë për të bashkëbiseduar me studentët e Kembrixhit, një nga universitetet më të mira në botë, ndaj jam shumë i lumtur që u diskutua për transformimin e Tiranës, duke filluar nga ditët e para të revolucionit urban në kohën e Edi Ramës, dhe gjithë zhvillimit që kemi kaluar me shumë guxim këto vite. Mezi pres që me Universitetin e Kembrixhit të fillojmë një raport, njësoj siç kemi me Universitetin e Harvardit dhe universitete të tjera, ku studentët më të mirë vijnë për praktikën e tyre në Tiranë. Mezi pres që produktet e para të kësaj marrëdhënieje të re, t’i shohim shumë shpejt në Tiranë”, përfundoi Veliaj./Top Channel/.

















