Sport
Tjetër vit, tjera suksese, shumë medalje – xhudistët e Kosovës ishin të pandalshëm në 2019-tën

Të lënë anash nga politika kosovare, me investime minimale në xhudo, si dhe me rritjen e Kombëtares së Kosovës në futboll, që në Kosovë është sporti më i popullarizuar, sporti që si fytyrë ka Majlinda Kelmendin, pati një ‘zbehje në sferën mediale’ gjatë vitit 2019, por jo edhe në tapetet e xhudos, në vende të ndryshme.
Sikur në vitet e kaluara, ashtu edhe në vitin 2019, xhudoja kosovare u përkujdes t’i rezervonte Kosovës një vend në mesin e shteteve të mëdha, mes kampionësh të ndryshëm, e edhe mes e mbi atyre që flamurin tonë nuk duan ta shohin, e nuk e njohin.
Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Loriana Kuka, Distria Krasniqi e Akil Gjakova, të udhëhequr nga mjeshtri i madh i xhudos, Driton Kuka, ‘pushtuan’ vende të ndryshme, në Grand Prixe të ndryshme, duke qenë ‘drita’ e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Viti nisi mbar për xhudon kosovare, me mbretreshën e këtij sporti, Majlinda Kelmendi, që e nisi me medalje ari, qysh në janar. Në Grand Prix Tel Aviv, heroina kosovare bëntë një udhëtim të jashtëzakonshëm, duke e përmbyllur për mrekulli, me fitoren në finale që vinte kundër izraelites, Gefen Primo, për fituesen e kategorisë -52 kilogramë.

Në të njëjtën garë, në Tel Aviv, rrugëtim fenomenal pati edhe e ardhmja e xhudos sonë, Loriana Kuka, e cila me vete do të merrte një medalje argjendi. Ëndrrën për medaljen e artë Lorianës do t’ia prishte sllovenja Klara Apotekar, e cila fitonte finalen e Grand Prix Tel Aviv, në kategorinë -78 kilogramë.
Në muajin shkurt, Kosova përsëri do të siguronte dy medalje; përsëri një të artë, dhe një të argjendtë; njërën në Grand Slam Paris, kurse njërën në Grand Slam Dusseldordf.
Majlinda Kelmendi kësaj radhe do të shoqërohej nga Distria Krasniqi, në listën e fitueseve të medaljeve.
Krasniqi do të mbyllte një garë të madhe në Paris, ku vetëm në finale do të njihej me humbjen, për t’u kthyer në Kosovë me medalje argjendi, duke lënë ëndrrën për të artën tek japonezja Ami Kondo.
Kurse, në anën tjetër, po në të njëjtin muaj, në Dusseldorf, Majlinda vazhdonte atë që nisi në janar – koleksionimin e medaljeve të arta. Garën në Gjermani, Majlinda e mbylli pa humbje, duke i dhënë vulën në finale, me fitoren kundër Sosorbaram Lkhagvasuren të Mongolisë, shkruan lajmi.net.
Sukseset e Majlindës në dy muajt e parë sikur kishin motivuar të gjithë skuadrën e Driton Kukës, skuadrës kosovare të xhudos. Në mars, Kosova do të mblidhte tri medalje, me Loriana Kukën dhe Nora Gjakovën. Dy nga ato medalje dy ishin të arta – nga një për secilën vajzë.

Në Grand Prix të Marokut, Loriana Kuka fillimisht do të stolisej me medaljen e argjendtë. Nga ky Grand Prix, Kosova shënoi vetëm këtë sukses. Por, marsi dhe sukseset e xhudos në këtë muaj do të vazhdonin në Gjeorgji, në Grand Prix Tbilis, ku Loriana Kuka përsëri do të merrte medalje, kësaj radhe të artë, për t’iu shtuar edhe një tjetër medalje ari e Nora Gjakovës.
Pas një suksesi të madh në muajin e tretë të vitit, në Kosovë të gjithë flisnin për xhudistet tona që po i jepnin fytyrë Kosovës. Lëvdatat më të mëdha shkonin për vashat tona, por edhe për Akil Gjakovën, edhe pse deri në këtë pikë ai nuk kishte marrë medalje. Sigurisht, as Driton Kukës nuk i mungonin lëvdatat.
Në prill, Kosova do të merrte vetëm një medalje nga xhudoja. Në Grand Prix të Antalisë, në Turqi, xhudistja kosovare, Distria Krasniqi, u kujdes që Kosovës t’i shtohej edhe një medalje ari. Përveç finales së fituar kundër xhudistes nga Kazakistani, Otgontestseg Galbadrakh, fitore me shumë vlerë për Distrian në këtë Grand Prix ishte edhe ajo kundër serbes Andrea Stojadinov.
Me majin që ishte si muaj pushimi, dhe një ‘befasi’ që në Kosovë nuk kishte medalje nga xhudo, skuadra jonë u kthye furishëm në qershor, për të koleksionuar tri medalje të tjera, në një kompeticion jashtëzakonisht të rëndësishëm. Ari, bronz e argjend; asgjë nuk mungoi, nga Lojërat Evropiane, në Minsk, në Bjellorusi. Majlinda kthehej me të artën, Nora Gjakova me të argjendtën, dhe Loriana me të bronztën. Një gjysmë viti i interpretuar perfekt nga xhudistet tona, por që nuk do të ndalej me kaq. Gjysma e dytë e 2019 do të tregonte akoma suksese tjera.
Akil Gjakova dukej sikur kishte pritur për gjysmën e dytë të vitit. Qysh në muajin korrik, Akili siguroi medalje të artë, nga Grand Prixi i Budapestit, në Hungari. Sigurisht, në këtë Grand Prix, nuk mund të mungonin sukseset e vashave tona. Edhe Nora Gjakova e Distria Krasniqi do të sillnin nga një medalje argjendi në Kosovë. Dhe, në vendin tonë, me shaka shkruhej se xhudoja po siguron më shumë ari e argjend, sesa miniera e Trepçës në Mitrovicë.
Edhe në muajin gusht, xhudo kosovare do të fitonte tri medalje – tashmë kjo një e arritur që “nuk bënte lajm”, pasi Kosova veçse ishte në mesin e vendeve favorite për të marrë medalje në xhudo.
Në shtetin e Japonisë, vashat tona arritën të merrnin tri medalje, dhe që të trija të bronzta, nga ai që ishte Kampionat Botëror. Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Loriana Kuka u kujdesën që flamuri i Kosovës të ishte përsëri në podium.

Përsëri një muaj pa medalje, për t’u kthyer në Grand Slam të Abu Dhabi, për një medalje ari, nga mbretëresha e xhudos, Majlinda Kelmendi. Odette Giuffrida ishte pengesa që u kalua në finalen e këtij Grand Slami, për të shtuar tjetër medalje ari, në sirtarin tashmë të pasur të xhudos kosovare, shkruan lajmi.net.
Viti u mbyll suksesshëm, me një medalje ari, kësaj radhe që vinte nga Distria Krasniqi. Kjo medalje ishte pakëz më speciale, pasi vinte nga një vend që nuk njeh Republikën e Kosovës, dhe simbolet tona, e që nga Distria detyrohej të intononte himnin, e të ngriste flamurin e Kosovës mbi të tjerët. Një fund që erdhi si të përgatitej me skenarist.

Kosova fitoi në total nëntë medalje të arta:
Majlinda Kelmendi 4
Distria Krasniqi 2
Nora Gjakova 1
Loriana Kuka 1
Akil Gjakova 1
Gjashtë medalje të argjendta:
Loriana Kuka 2
Distria Krasniqi 2
Nora Gjakova 2
Dhe katër medalje bronzi:
Loriana Kuka 2
Distria Krasniqi 1
Majlinda Kelmendi 1
Fitoret:
Grand Prix
Grand Slam
Lojërat Evropiane
Kampionati Botëror
Si dy garat më të rëndësishme të këtij viti u cilësuan Kampionati Botëror në Japoni, si dhe Lojërat Evropiane që u mbajtën në Minsk të Bjellorusisë. Në të dy këto gara, Kosova doli me medalje. Xhudo bëri dritë për fytyrën e Kosovës. Synimi i ardhshëm për xhudon tonë qëndron në Tokio, tek Lojërat Olimpike. /Lajmi.net/






















