Lajme
Tirana dhe Prishtina do të tentojnë t’i ulin bashkë Selën, Kasamin dhe Gashin

Arritja e koalicionit trepalësh parazgjedhor mes Aleancës për Shqiptarëzt, Lëvizjes Besa dhe Alternativës, ka qënë temë shumë e diskutuar në javët e fundit, sidomos pas caktimit të 12 Prillit si datë e zgjedhjeve të parakohshme, shkruan in7.
Por teksa afrohet dita e zgjedhjeve dhe rrjedhimisht edhe afatet për lidhjen e koalicioneve parazgjedhore, një koalicion trepalësh mes partive shqiptare duket se po bëhet i pamundur.
Dallimet mes Lëvizjes Besa dhe Alternativës duken të jenë të mëdha, saqë seriozisht po rrezikohet arritja e një marrëveshjeje. Të dyja partitë thonë se po zhvillojnë bisedime veç e veç me Aleancën për Shqiptarët, ndërsa deri tani nuk janë krijuar kushte për ulje në tavolinë edhe mes veti ose të tre palët.
Edhepse gjatë kësaj jave duhej të dilet konkretisht me një marrëveshje ose me njoftim për arritjen e koalicionit me të paktën njërën prej dy partive, nga Aleanca për Shqiptarët nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
Siç mëson in7, këtyre ditëve kreu i Aleancës, Ziadin Sela është takuar edhe njëherë me Bilall Kasamin e Lëvizjes Besa në Shkup, ndërsa dje ka realizuar takim me atë të Alternativës, Afrim Gashin në një lokal në Strugë.
Ende nuk ka diçka konkrete, por Sela po insiston që dy partitë tjera të vendosin që për hir të procesit, të ulen bashkë dhe ta lidhin marrëveshjen.
Gjithashtu, burime të in7 pranë negociatorëve, thonë se për tu arritur koalicioni trepalësh do të bëhet edhe një përpjekje me ndërmjetësim me miq nga Tirana dhe Prishtina, të cilët ngulin këmbë që të tre partitë të dalin me lista të përbashkëta.
“Duam t’i japim edhe një mundësi miqve tanë për ta realizuar takimin. Shpresojmë shumë se të dy partitë tjera do ta kuptojnë se procesi dhe arritja e fitores është shumë më i rëndësishëm sesa zënkat mes tyre. Do presim edhe ca ditë. Nuk garantojmë për rezultatin e këtyre bisedimeve, por garantojmë se Aleanca për Shqiptarët nuk do të dalë e vetme në zgjedhje”, thonë për in7, burime brenda Aleancës për Shqiptarët.
Burime të njëjta theksojnë se janë shumë të rezervuar për nxjerrjen e informacioneve më të hollësishme në publik, për të mos e rrezikuar procesin e bisedimeve trepalëshë, pasi siç thonë ata, deri tani kanë ruajtur neutralitetin në raport me të dy partitë tjera. Nëse bisedimet dështojnë, atëherë Aleanca dhe organet e saj do të zgjedhin kombinimin më të mirë fitues për zgjedhjet e 12 Prillit.
















