Lajme
The New York Times: Tërmeti në Shqipëri tregon se Ballkani nuk është i gatshëm të përballojë ndonjë edhe më të madh

Gazeta prestigjioze amerikane “The New York Times”, ka shkruar për tërmetin që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, duke lënë të vdekur 51 persona dhe mbi 1 mijë të lënduar.
Poashtu edhe numri i atyre që kanë mbetur pastrehim është i madh.
The New York Times, ka paralajmëruar se ngjarja tragjike në Shqipëri ka treguar se Ballkani nuk është i gatshëm të përballojë ndonjë tërmet edhe më të madh.
“Ndërtimi shpesh kompromentohet nga korrupsioni, një model i përsëritur në të gjithë Shqipërinë, një komb i vogël ballkanik. Tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri vrau 51 njerëz, dërgoi qindra në spitale dhe la mijëra të pastrehë. Ndërsa tronditja bie, tragjedia ofron një paralajmërim të zymtë për një rajon që është shkatërruar nga tërmetet shumë më të fuqishme në të kaluarën dhe që ekspertët paralajmërojnë se është i papërgatitur për një tjetër të madh.”
Tutje në shkrimin e NYT, thuhet se qeveritë e vendeve ballkanike përfshirë edhe Shqipërinë nuk kanë arritur të adresojnë rreziqet që paraqesin ndërtesat e vjetra.
“Vendi nuk ka mjaftueshëm inxhinierë dhe ekspertë për të vlerësuar të gjitha pronat që janë dëmtuar dhe madje edhe kur rreziku dihet, kostoja e kryerjes së riparimeve të nevojshme është shpesh e pamundur në një nga vendet më të varfëra të Evropës.”
Në Rumani, ndërtesat më të vjetra shpesh paraqesin rrezikun më të madh. Por në vendet e tjera, si Shqipëria, janë ndërtesat e reja që shqetësojnë shumë ekspertë, duke theksuar se ‘boom’-i i ndërtimeve pas rënies së komunizmit ka ndikuar negativisht në standarde.




















