Kosovë
Rriten të ardhurat nga diaspora, më së shumti nga Gjermania

Diaspora e Kosovës po vazhdon të qëndroj me “menje” në Kosovë, duke kontribuar me shuma të mëdha financiare.
Madje këto shuma po shënojnë rritje çdo vit që diaspora i dërgon apo investon në Kosovë.
Të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, tregojnë se shuma e remitancave të dërguara ka shënuar rritje.
Deri në muajin shtator të vitit 2019, remitancat kanë arritur vlerën e 627.4 milionë eurove, që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kanë shënuar rritje për 6.1 për qind.
Në periudhën janar-shtator të vitit 2018 shuma e remitencave të dërguara në Kosovë ishte 588.2 milionë euro.
“Nga janari deri në fund të shtatorit të këtij viti, shuma e remitencave të dërguara nga mërgimtarët tanë ka arritur në 627.4 milionë euro.
Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (janar-shtator), shuma e remitencave të dërguara në Kosovë ishte 588.2 milionë euro”, ka thënë për IndeksOnline Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i BQK-së.
Shuma e dërgesave të emigrantëve në vit konsiderohet të jetë edhe më e lartë, pasi që një pjesë e mjeteve hyjnë në Kosovë edhe përmes formave tjera, të cilat mund të mos përfshihen në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës.
Sipas të dhënave nga Banka Qëndore e Kosovës, remitencat vijnë kryesisht nga Gjermania pasuar nga Zvicra, SHBA-ja, Italia, Austria, Franca dhe shtete të tjera.





















