Kosovë
Rasti “Pronto”, sot shpallet aktgjykimi ndaj Adem Grabovcit dhe të tjerëve

Aktgjykimi ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin “Pronto”, do të shpallet sot më 3 janar 2020.
Në këtë rast për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, po akuzohen ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, dhe tetë të akuzuar të tjerë.Ata akuzohen se gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011 kishin emëruar në mënyrë të kundërligjshme në pozita udhëheqëse njerëz të afërt të tyre ose me partinë e tyre në ndërmarrjet publike “Trainkos”, “Infrakos”, “Hidro-Drini”, “Radoniqi-Dukagjini”, etj.
Pasi Prokuroria kishte ngritur aktakuzën për përgjimet ‘’Pronto’, gjykimi kishte filluar me 1 tetor 2018, ndërsa me 15 nëntor Grabovci, Beqaj, Pajaziti e 8 të akuzuarit e tjerë ishin deklaruar të pafajshëm, transmeton Telegrafi.
Gjykimi në rastin e njohur si “Pronto” përfundoi me 12 seanca gjyqësore pas 455 ditësh ose 1 viti e 2 muaj e 29 ditë, pas ngritjes së aktakuzës.




















